Google ADS

Kush do t’i dalë përballë Vuçiqit?

08:08 | 26 Shtator 2019
Arbresh.info

Edhe nëse në krye të Qeveris do të vijë ndonjë nga kandidatët që do ta marr përsipër përfaqësimin e Kosovës në dialog me Serbinë, kjo gjë nuk pritet të ndodh edhe me palën tjetër.

Për dallim nga ne, Serbia nuk i ka problemet tona dhe atje është e qartë se kush përfaqëson, pra është presidenti Aleksandar Vuçiq, i cili kontrollon edhe qeverinë, përmes partisë se tij, thotë analisti Bekim Kabashi në një përgjigjej dhënë arbresh.info.

“Gjithashtu opozita atje është shumë e dobët momentalisht dhe nuk është në gjendje që të bllokojë apo pengojë Presidentin dhe qeverinë, sikurse ka ndodhur në Kosovë në raste të caktuara”, vlerëson Kabashi.

Se kjo çështje duhet të ishte e baraspeshuar për të dyja vendet e thotë edhe Blerim Burjani, analist politik.

“Zhvendosja e dialogut te Kryeministri është një çështje e rëndësishme pasi që kompetencat i ka qeveria për negocim, por kjo varet shumë se kush do të bëhet kryeministër dhe a ka kapacitete me zhvillu negociata dhe me zgjidhë  çështjen e normalizimit me Serbinë”.

Njohësi i raporteve ndëretnike, Fatmir Sheholli, thotë se Kosova dhe Serbia duhet të kenë të njëjtin nivel të përfaqësimit në dialog.

“Sa i përket përfaqësimit të Kosovës në dialog ai është i baraspeshuar përkatësisht nëse Serbia përfaqësohet nga Presidenti atëherë është e nevojshme që edhe Kosova të përfaqësohet në atë nivel”, shprehet Sheholli.

Deri më tani, të gjithë kandidatët në garën për të qeverisur me vendin janë zotuar për unitet në finalizimin e dialogut me Serbinë./V.Selimi/arbresh.info/

 

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme