Kurz: Roli i SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi, i rëndësishëm

01:02 | 21 Qershor 2020
Trina Galanxhi

Kancelari i Austrisë Sebastian Kurz, ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi. Kurz ka thënë se angazhimi i SHBA-së në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, është mjaft pozitiv, si mënyrë për të ndihmuar në zgjidhjen e konfliktit, i cili po i mban peng të dy shtetet për kaq shumë kohë.

“Unë nuk do e përkufizoja ashtu, ndaj më shumë e shoh angazhimin e SHBA-ve si një kontribut pozitiv për të ndihmuar në zgjidhjen e konfliktit, i cili po i mban peng të dy shtetet për kaq shumë kohë. Kjo plotësisht varet nga dy palët në fjalë. Shpresoj të arrihen përparime tjera në muajt në vijim”, ka thënë Kurz në një intervistë për Telegrafin,

Sa i përket të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kancelari austriak ka thënë se është diplomat i jashtëzakonshëm dhe ka mbështetjen e Austrisë.

“Siç mund ta shihni, të gjithë jemi të një mendimi. Përfaqësuesi special i BE-së, Lajçak, gëzon mbështetjen tonë të plotë. E njoh atë që nga koha e tij si Ministër për Punë të Jashtme dhe President i Këshillit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (KB). Miroslav Lajcak është një diplomat me përvojë të jashtëzakonshme”, thotë ai.

Sa i përket asaj se si i shpjegon bisedimet e disa udhëheqësve nga rajoni, lidhur me propozimin për ndryshim të kufijve në mes Kosovës e Serbisë, kancelari Kurz mes tjerash tha se nëse dy palët mund të pajtohen, nuk mund të jemi ne ata që i pengojmë palët të ulen në një tryezë dhe të ngrisin të gjitha çështjet.

“Qasja jonë ka qenë gjithnjë pragmatike. Nëse të dy palët mund të pajtohen, nuk mund të jemi ne ata që i pengojmë palët të ulen në një tryezë dhe të ngrisin të gjitha çështjet, të cilët ata i konsiderojnë të rëndësishme. Ne duhet të bëjmë krejt çfarë është e mundur të lehtësojmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse në mes Beogradit dhe Prishtinës, e cila do të kishte një efekt pozitiv në rajonin si tërësi”, ka deklaruar ai.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme