Kurtit i shkon në zyrë edhe QUINT-i, u prezanton elemente nga propozimi i tij për marrëveshjen me Serbinë

20:20 | 25 Gusht 2022
L G

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ushtruesen e detyrës së Shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Anna Carin Platon dhe ambasadorët e shteteve të QUINT-it.

Duke folur për takimin e datës 18 gusht në Bruksel, Kurti ka thënë se Republika e Kosovës ka treguar vullnet dhe gatishmëri për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë, drejt një marrëveshjeje që në qendër ka njohjen reciproke.

Sipas  njoftimit së ZKM’së, Kurti prezantoi elementet e gjashtë kapitujve të Kornizës së Përgjithshme të marrëveshjes së ardhshme me Serbinë, për normalizim të plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër.

“Përfaqësuesit e QUINT-it dhe Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë e falënderuan Kryeministrin Kurti për angazhimin pozitiv dhe konstruktivitetin në takimet në Bruksel”, thuhet në komunikatë.

Në takim u bisedua edhe për marrëveshjen për targat, për zhvillimet politike në vend si dhe situatën politike në rajon.

Në komunikatën e ZKM’së thuhet se u ritheksua përkushtimi për bashkëpunim dhe bashkërendim të veprimeve ndërmjet Qeverisë, institucioneve të Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Italisë. /arbresh.info/

Të ngjashme