Në Janjevë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, vizituan Kishën e Shën Nikollës, ku u takuan dhe me priftin Don Matej Paliq, si dhe panë nga afër shtëpitë e restauruara të zonës.
Gjatë qëndrimit në Janjevë, kryeministri mori pjesë edhe në hapjen e panairit “Mirëserdhët në Janjevë”, bashkë edhe me ambasadorin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barišić dhe shefin e UNDP-së në Kosovë Nuno Queiros. Më tej, vizitoi edhe Xhaminë e Murat Beut në Janjevë, ku u prit nga Kryeimami i Kosovës, Vedat ef. Sahiti dhe Imami i Janjevës Beqir Krasniqi.
Në fjalën e tij në hapjen e panairit, kryeministri Kurti tha se qeveria jonë po investon përmes tri ministrive në Janjevë.
“Ministria e Kulturës, në restaurimin dhe rifunksionalizimin e 14 shtëpive tradicionale, përmirësimin e infrastrukturës dhe kapaciteteve njerëzore për turizëm dhe menaxhim, mandej Ministria e Zhvillimit Rajonal në përmirësimin e infrastrukturës rrugore në zonën e vjetër të qytezës së Janjevës, si dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në shtrirjen e ujësjellësit në qytet,” u shpreh kryeministri.
Ai shtoi se ky program nuk do të ishte i plotë pa përkrahjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë, si Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
“Ky projekt hap një urë bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe diasporës Janjevase, e cila ka migruar në Kroaci, duke krijuar kësisoj mundësi e arsye të fortë për rikthim e bashkëinvestim në Janjevë. Nëpërmjet investimeve të realizuara, shtëpive të vjetra shumëshekullore, kësaj qyteze po i rikthehet shkëlqimi i dikurshëm, e së bashku me këtë edhe gjallëria ekonomike. Shtëpitë e restauruara do të jenë të gatshme për të shërbyer qoftë për banim, bujtina, gastronomi, e shitje të prodhimeve vendore që i prodhojnë bujqit e artizanët e vyeshëm të këtij vendbanimi,” përfundoi kryeministri.
Pas fjalës së tij, Kryeministri Kurti takoi nga afër edhe banorët e zonës e pjesëmarrësit në panair nga prodhuesit lokalë dhe përfaqësues të bizneseve.
Panairi u organizua si pjesë e projektit “Trashëgimia kulturore si nxitëse për ringjalljen ekonomike të Janjevës”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ai synon të nxjerrë në pah identitetin kulturor të fshatit duke ofruar një platformë për artizanët dhe prodhuesit vendas për të ekspozuar punën e tyre, për të ruajtur, mbrojtur dhe ringjallur trashëgiminë kulturore, promovuar ndërgjegjësimin dhe sigurimin e mbrojtjes së saj, zgjerimin e mundësive socio-ekonomike dhe zhvillimin ekonomik për banorët e Janjevës./Arbresh.info/
Kuvendi pritet të mbajë tri seanca, njëra për mandatin qever...
Osmani në Forumin Ndërkombëtar në Halifax: Diskutova për she...
SBASHK-u paralajmëron protestë, thotë se nuk përjashton as g...
Banorët e Big Brother VIP Kosova shokohen nga rrëmuja në sht...
Ali Khamenei: Dënoni me vdekje Netanyahun dhe autoritetet iz...
Hoti: Buxheti 2025 u miratua me dy shkelje ligjore, Zyra e P...