Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka vizituar Ulpianën antike, aty ku vitin e kaluar u zbulua një mbishkrim i veçantë i Perandorit Justinian (527-565) që tregon lidhjen e tij me Dardaninë.
Në këtë lokacion janë duke u zhvilluar gërmime arkeologjike të udhëhequra nga arkeologët Christophe Goddard, nga Universiteti “Ecole Normale Supérieure” në Paris, Arben Hajdari nga Universiteti i Prishtinës dhe Milot Berisha nga Instituti Arkeologjik të Kosovës.
Në një postim në Facebook, Kryeministri Kurti ka theksuar se mozaiku është i punuar nga gurë vendorë dhe karakterizohet me arritje të lartë artistike, duke përfshirë më shumë se katër nuanca.
Ai e ka quajtur këtë veprimtari një dëshmi të pasurisë dhe të lashtësisë së vendit tonë.
Postimi i plotë:
Në Ulpianën antike, aty ku vitin e kaluar u zbulua një mbishkrim i veçantë, i Perandorit Justinian (527-565), që tregon lidhjen e tij me Dardaninë, ishim për të parë nga afër gërmimet arkeologjike të udhëhequr nga arkeologët Christophe Goddard, nga Universiteti “Ecole Normale Supérieure” në Paris, Arben Hajdari nga Universiteti i Prishtinës dhe Milot Berisha nga Instituti Arkeologjik të Kosovës.
Pas zbulimit historik, ekipi ka zgjeruar gërmimet në bazilikën e Justinianit duke shpërfaqur fragmente nga mozaiku i dekoruar me motive gjeometrike të shpendëve, me kupa e shatërvanë. Këto simbolika i referohen ritualit të pagëzimit, ku shpirti gjen një jetë të dytë me ujin e pagëzimit, sikurse zogu që vjen për të pirë ujë nga burimi.
Mozaik i punuar nga gurë vendor, që karakterizohet me një arritje të lartë artistike, e ku veçohen më shumë se katër nuanca. Vepra artistike këto të punuara nga njerëz të cilët kanë jetuar në kohën e sundimit të Justinianit. Dëshmi të tilla ndriçojnë të kaluarën e pasur e të lashtë të vendit tonë.
E kjo pasuri, paraqet njëkohësisht një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim të turizmit, duke e shndërruar Ulpianën në destinacion tejet interesant për vizitorë vendor e të huaj.
Për të siguruar kushte për ruajtje e prezantim të lokalitetit, kemi miratuar Planin e Menaxhimit dhe kemi shpallur thirrjen për zbatim të këtij plani, përmes së cilit synojmë funksionalizimin e interpretimin dinjitoz të këtij thesari të trashëgimisë sonë kulturore.
Pjesë e ekipit të arkeologëve, sot ishin edhe shumë studentë të nivelit Bachelor, Master e Doktoratë, ku një numër prej tyre janë mbështetur nga qeveria nëpërmjet bursave të studimit. Arkeologët e arkeologet e reja paraqesin gjeneratën pasuese të cilët do të vazhdojnë me hulumtimin në Ulpianë e lokalitete tjera arkeologjike në vendin tonë.
Përkushtimi i Qeverisë ndaj arkeologjisë mbetet i palëkundur, duke e përfshirë atë në prioritetet programore e duke ofruar mbështetje institucionale, profesionale e financiare./Arbresh.info
Drejtësia tranzicionale dhe adresimi i krimeve të luftës, Ha...
Lansohet pilotimi i Programit të Kuponëve, Nagavci: Një risi...
Nisin pushimet për punonjësit e shtetit, ky është kalendari ...
PSG dhe West Ham në negociata për transferimin e Soler në Pa...
Kurti: Përfshirja e fëmijëve në edukim, mundësi për punësim ...
Sekuestrohen 12 armë zjarri në rajonin e Prishtinës