Paraditen e sotme, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar fillimin e punimeve të zgjerimit të Rrugës Nacionale N-9, segmenti Kijevë-Dollc.
Derisa lloti i parë i këtij segmenti rrugor është në ri-tenderim, kryeministri Kurti gjatë njoftimit me punëkryesin e mbikëqyrësin e punëve të kryera, u shpreh i lumtur për inaugurimin e lloteve 2, 3 dhe 4, me gjatësi afër 11 kilometra, në vlerë të përgjithshme prej më pak se 21 milionë euro.
Ai i uroi punë të mbarë pronarit, menaxherëve dhe punëtorëve për punën e përbashkët për një arterie tejet të rëndësishme infrastrukturore, që e lidhë kryeqytetin me pjesën perëndimore të Republikës tonë.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, u deklarua se për projektet që po zhvillohen brenda këtij mandati, po iu kushtohet rëndësi cilësisë së projektimeve që në fazën e dizajnimit, në fazën e realizimit të punimeve, si dhe çështjeve që i përkasin shpronësimeve në kohë.
Ndërkaq, zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, u shpreh i bindur për realizimin efikas të tre lloteve të këtij segmenti rrugor.
“Janë pra tri llote, që afatet e kryerjes, afati më i gjatë është 460 ditë për llotin më të madh, por duke e parë angazhimin edhe të kompanive, por edhe të mbikëqyrjes së jashtme, të cilën e kemi kontraktuar, unë jam i bindur se do ta realizojmë para këtij afati që të tri llotet”, tha ai.
Për të parë nga afër fillimin e këtij projekti, bashkë me kryeministrin Kurti, ishin ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, zëvendësi i tij, Hysen Durmishi, ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Taulant Kelmendi.
Pas segmentit Kijevë-Dollc, vjen ai Dollc-Ramun, për të cilin do të bëhet hapja e procesit për tenderim në muajin maj.
Prononcimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Jemi këtu bashkë me ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, me zëvendësin e tij, Hysen Durmishi, me ministrin e Administrimit, të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, me zëvendësministrin e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë, dhe Inovacionit, Taulant Kelmendi, në rrugën nacionale N9, që të dërgon për Pejë, dhe e cila po zgjerohet.
Po inaugurojmë fillimin e punimeve për 3 llote, llotin 2, 3 dhe 4, që gjithsej siç më njoftoi ministri Liburn Aliu, e kanë gjatësinë 10.9 kilometra, me një kosto të gjithmbarshme më pak se sa 21 milionë euro.
Ndërkaq, për segmentin tjetër pas këtij Kijevë-Dollc, vjen Dollc-Ramun, për të cilin do të bëhet hapja e procesit për tenderim në muajin e ardhshëm, pra në muajin maj. Ndërkohë që për llotin e parë, Organi Shqyrtues i Prokurimit, OSHP-ja, e ka rikthyer me vendim e vet në ri-tenderim, andaj ajo është spostuar ca në kohë. Për llotet 2,3,4 gati 11 kilometra, për më pak se 21 milionë euro po i inaugurojmë me shumë gëzim të gjithë bashkë sot, dhe më erdhi posaçërisht mirë kur u njoftuam që do të kemi edhe punëkryes, por do të kemi edhe mbikëqyrës të punëve të kryera.
Unë e falënderoj shumë, ministrin Aliu, zëvendësin e tij, Durmishi dhe kompaninë e cila po i bën këto punë dhe gjithashtu atë e cila do t’i mbikëqyrë ato.
I uroj edhe pronarit, edhe menaxherëve, edhe punëtorëve, punë të mbarë dhe suksese në këtë ndërmarrje të përbashkët për një arterie tejet të rëndësishme infrastrukturore që e lidhë kryeqytetin me pjesën perëndimore të Republikës tonë.
Faleminderit. Urime! Gëzuar të gjithëve!/Arbresh.info/
Arne Slot zgjedh “ushtarët” e tij në “betejën” ndaj Real Mad...
Befason trajneri i Lille, lë Zhegrovën në bankë rezervë ndaj...
Dumfires vazhdon me Interin edhe katër vite tjera
Mes shumë mungesash, Ancelotti ka zgjedhur 11-shen për ndesh...
Ambasada e Shqipërisë uron 28 Nëntorin
Vrasja e Martin Canit, nxënës, mësues dhe prindër me marshim...