Kurti vizitoi një kompani në Viti, përfituese e masës 2.1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike

17:11 | 19 Dhjetor 2023
E.K

Në vazhdën e aktiviteteve të realizuara gjatë ditës së sotme, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ndalesën e radhës e pati në kompaninë “Euro Fisi” në qytetin e Vitisë, cila është edhe përfituese e masës 2.1 për subvencionimin e kredive investuese, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Euro Fisi, e themeluar në vitin 1995, e që ndër vite është zgjeruar në hapësirë e treg, merret kryesisht me prodhimin e materialeve të ndryshme për ndërtimtari dhe termoizolime.

Aktualisht ka rreth 100 punëtorë.

Produktet e kompanisë Eurofisi eksportohen në shumë vende, duke filluar që nga shtetet përreth Kosovës si Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut e Serbia, për të vazhduar tutje edhe në vendet tjera të Evropës si në Bullgari, Greqi, Kroaci, Itali, Austri, Gjermani dhe Belgjikë.

Kryeministri Kurti i përgëzoi drejtuesit e kompanisë për numrin e lartë të punëtorëve, sukseset e vazhdueshme, makinerinë moderne prodhuese, dhe rezultatet në eksport.

Harta e eksporteve të Euro Fisi-it është me të vërtetë mbresëlënëse dhe është shembull se si një ndërmarrje rritet, zgjerohet edhe për nga prodhimtaria si vëllim, por edhe për nga produktiviteti i mallrave të cilat i shet qoftë këtu, por sidomos atyre që i eksporton, tha kryeministri.

Kryeministri Kurti dhe ministrja Hajdari e falënderuan pronarin e kompanisë, Ismajl Shallti dhe të gjithë stafin për mikpritjen dhe i uruan atyre suksese të vazhdueshme./Arbresh.info

Të ngjashme