Me të arritur në Kosovë, pas qëndrimit në Bruksel, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar sot Komunën e Dragashit, e cila u prek dje nga vërshimet e ujit të shkaktuara nga reshjet e mëdha të shiut. Ai së bashku me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, Kryetarin e Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladinin dhe përfaqësues të Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, gjithashtu vizitoi zonat më të prekura nga këto vërshime, përkatësisht fshatit Kuk të kësaj komune.
Deklarimi i plotë për media i Kryeministrit Kurti pas vizitës në Kuk:
Bashkë me Kryetarin e Komunës së Sharrit/Dragashit, Bexhet Xheladinin dhe me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqin, dhe me përfaqësuesin nga AME-ja, që njëkohësisht është edhe në Komisionin Vlerësues, Kryetar i Komisionit Vlerësues, Kastriot Lajçin, dhe me kolegë të tjerë nga Komuna e Dragashit, erdhëm në fshatin Kuk që të shohim për së afërmi pasojat e mëdha të cilat janë shkaktuar nga vërshimi i madh i djeshëm që kishte përmasat e një fatkeqësie natyrore meqenëse përrockat e malit Sharr, u bënë më të mëdha se sa lumenjtë e Kosovës.
Jemi këtu në vendin në të cilin është bllokuar ura edhe përfundi edhe sipër dhe më pastaj sasi enorme të ujit kanë vërshuar fshatin. Jemi me shumë fat që kjo sasi e madhe e ujit, ky vëllim gjigant i djeshëm për shkak të reshjeve të mëdha të shiut dhe të breshrit ka qëlluar në një kohë gjatë ditës kur asnjëri prej banorëve nuk ka qenë në bodrum të shtëpisë. Përndryshe, po të kishin qëlluar në bodrume të shtëpisë do të kishin vdekur, meqenëse uji i ka vërshuar bodrumet e banorëve nëpër shtëpitë e fshatit Kuk.
Në këtë fatkeqësi pra kemi pasur fat që nuk ka vdekur askush. E kemi parë më herët para disa javësh se si në Gjermani pati edhe viktima në njerëz pikërisht për shkak se kur ndodhin vërshimet atëherë njerëzit që ndodhen në bodrume janë të rrezikuar në mënyrë fatale. Por, këtu kemi pasur fat, dhe më vjen mirë për këtë gjë.
Tash me Komisionin vlerësues duhet të shohim se sa mund të ndihmojmë, çka të riparojmë e rindërtojmë, sepse dëmet janë të mëdha. Nuk janë të korrigjueshme menjëherë e përnjëherë. Ka dëme në infrastrukturë dhe atë jo vetëm në rrugë e në ura, por edhe në gypat e ujësjellësit, në gypat e kanalizimit, si dhe në gypat e Telekomit të Kosovës, në kabllot e ndryshme të cilat kanë siguruar edhe furnizimin me energji elektrike. Ka shtylla të cilat tash paraqesin rrezik për njerëzit dhe do të na duhet që të merremi me të gjitha këto bashkë me komunën.
E falënderoj kryetarin Bexhet Xheladinin për mikpritjen në këto kohë të vështira. Duhet të jemi pranë qytetarëve pa dallim, meqenëse kjo është një fatkeqësi natyrore, e cila është e lidhur edhe me ndryshimet klimatike, apo edhe me krizën mjedisore që e ka kapluar jo vetëm rajonin e kontinentin tonë. Prandaj, duhet t’i marrim masat në mënyrë që të rimëkëmbim çka mundemi, por edhe të nxjerrim mësimet që situatat e këtilla të mos përsëriten as këtu dhe as ndokund tjetër./Arbresh.info
Inter synon goditjen e madhe – transferimin e yllit të Liver...
Rovena-Edit: Të është zbuluar loja
NYT: Biden lejon Ukrainën të godasë Rusinë me raketa amerika...
Lushaku i reagon Kurtit: Po mundohet të shfajësohet për përm...
Gjesti dhe Xheneta vazhdojnë diskutimet ndërmjet tyre
Prizreni siguron 2030 metra dru e 1520 tonë pelet për ngrohj...