Kurti vizitoi fabrikën përfituese nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike

22:41 | 16 Gusht 2023
K.B

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati kanë vazhduar edhe sot vizitat në bizneset prodhuese. Kësaj radhe ata vizituan fabrikën “Geli Fruits” në Komunën e Gjakovës, me pronar Frrok Hajdaraj, e cila është përfituese e masës 2.1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Me anë të një komunikate nga zyra e kryeministrit, thuhet se  Kurti u shpreh i nderuar që sot vizitonte këtë kompani e cila i ka 31 punëtorë të përhershëm ndërsa gjatë sezonës dyfishohet numri i tyre.

“Merren me grumbullimin, konservimin dhe paketimin e perimeve. 90 për qind të prodhimit të tyre e eksportojnë në Gjermani, Austri, Zvicër edhe në Suedi, e këtë e bëjnë përmes kompanive që atje i kanë bashkatdhetarët tanë’’, u shpreh kryeministri gjatë vizitës.

Teksa falënderoi Hajdaraj për mikpritjen dhe për njoftimin që ua bëri me procesin e prodhimit këtu, tha se kjo ka ndikuar që rreth 100 fermerë të zonës të kenë kontrata me këtë fabrikë.

Përmes masës 2.1 të Pakos për Ringjallje Ekonomike që është subvencionimi i kredive investuese deri në 20 për qind, kryeministri Kurti tha se edhe kjo fabrikë ka përfituar dhe kështu i kontribuar rritjes të prodhimit por gjithashtu edhe kontributit për shtetin dhe për ekonominë e Kosovës.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se ishte kënaqësi të vizitojnë një prodhues vendor të tillë i cili përveç se furnizohet nga prodhuesit apo bujqit, produktet i merr të gjitha lokale, por bën edhe eksportimin e pothuajse të gjithë produkteve që i prodhon.

‘’Si qeveri përmes masave po mundohemi të ndikojmë në gjithë zinxhirin prodhues, në gjithë zinxhirin e shtimit të vlerës duke filluar nga subvencionimi i bujqve pra që bën Ministria e Bujqësisë e deri tek ngritja e kapaciteteve për prodhim e pastaj edhe për plasim në treg vendor apo eksport’’, u shpreh ai.

Në këtë vizitë bashkë me kryeministrin Kurti dhe ministrin Murati, ishin edhe deputetët Jahja Koka dhe Ardian Gola.

“Geli sh.p.k. është një qendër për grumbullimin dhe përpunimin e pemëve dhe perimeve, me seli në fshatin Palabardh të Komunës së Gjakovës, e regjistruar në vitin 2016.Në fillimin e veprimtarisë së saj, ajo ka qenë e fokusuar në investimin në plantacionin e mollëve, në një sipërfaqe prej 4 hektarësh. Deri në vitin 2019 është operuar me kapacitete më të vogla, derisa që nga viti 2019 e tutje, janë bërë investime të mëdha, duke filluar prej ndërtimit, deposë së grumbullimit dhe blerjes së pajisjeve të nevojshme për ruajtjen dhe përpunimin e pemëve dhe perimeve. Qëllimi kryesor i saj është modernizimi i kapaciteteve deponuese të pemëve dhe perimeve, duke ruajtur në të njëjtën kohë të gjitha vlerat biokimike të tyre”, thuhet në njoftimin për media./Arbresh.info/

Të ngjashme