Google ADS

Kurti vizitoi fabrikën e këpucëve dhe atë të stiroporit në Therandë, u premton përkrahje

18:48 | 21 Maj 2020
Arbresh.info

Sot gjatë ditë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me ministren në detyrë të Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari, kryetarin e Komunës së Therandës, Bali Muharremaj dhe drejtorin ekzekutiv të Klubit të Prodhueseve, Astrit Panxha, vizituan fabrikën e këpucëve “SOLID” dhe të stiroporit “GRANITI” në parkun industrial në Therandë.

Parku Industrial në Therandë ka rol të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomikë të kësaj komune. Ky park është shtëpi e 50 bizneseve të cilat, nga që nga viti 2017 kanë investuar mbi 50 milionë euro. Veprimtaria e këtyre bizneseve siguron të ardhurat e mbi 1000 të punësuarve.

Në këtë park, kryeministri në detyrë Kurti fillimisht vizitoi fabrikën “SOLID”, e cila ka 250 punëtorë dhe produktet e së cilës, për shkak të cilësisë së tyre, tashmë janë prezente në tregun evropian, amerikan dhe afrikan. Gati gjysma e prodhimit është i dedikuar për tregun e jashtëm dhe gjysma tjetër për atë të brendshëm. Gjatë takimit, Kryeministri në detyrë u njoftua me procesin e prodhimit, vështirësitë në plasimin e prodhimeve në treg dhe kërkesat e menaxhmentit udhëheqës të kësaj fabrike.

Nga aty, vizitoi fabrikën “GRANITI” e cila duke qenë e fokusuar në fushën e ndërtimtarisë, bën prodhimin e striroporit, llaqeve, fasadave dhe ngjyrave. Si e tillë, prodhimtaria e kësaj fabrike është sh​umë e rëndësishme në aspektin e ruajtjes së energjisë meqë stiropori përdoret për izolimin e ndërtesave. Kjo fabrikë ka mbi 100 punëtorë, dhe pavarësisht problemeve financiare të shkaktuara nga pandemia gjatë muajit mars dhe prill të këtij viti, asnjëri nga punëtorët nuk e ka humbur vendin e punës dhe pagesat janë kryer me rregull.

Kryeministri shprehu zotimin dhe përkushtimin e tij e të qeverisë që t’i përkrahë dhe ndihmojë prodhuesit vendorë nëpërmjet ligjeve të reja ose plotësim ndryshimin e ligjeve aktuale, sidomos në lidhje me prokurimin publik, në mënyrë që prodhuesit të mos jenë të diskriminuar brenda vendit kur të njëjtit vlerësohen për cilësi të lartë jashtë tij. Përkrahja e prodhuesve vendorë është në linjë me programin e Qeverisë dhe orientimin ekonomik të saj./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme