Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi ekspozitën e fotodokumentarit “KFOR and Kosovo + 25” që shënon edhe 25-vjetorin e hyrjes së trupave të KFOR-it në Kosovë, ekspozitë kjo që po shfaqet në ambientet e Muzeut Kombëtar të Kosovës.
Kryeministrit Kurti fillimisht iu prezantua ekspozita me fotografi të fotografit Nick Sidle, nga organizatorja e organizatës “Heartstone” Sita Kumari.
Në fjalën e tij, Kurti tha se ende ishte nën mbresat e këtyre fotografive të kësaj ekspozite që porsa i pa në një mënyrë të dyfishtë; e para për shkak se jemi në vigjilje të 25-vjetorit të çlirimit e të paqes, të hyrjes së trupave të NATO’s në Kosovë; dhe së dyti, për shkak se dy vitet e gjysmë të para të lirisë, ai ka qenë rob lufte.
“Nga i burgosur politik me datën 10 qershor, bëhem rob lufte. Janë ato dy vjet e gjysmë të para të cilët nuk i di për shkak se kam qenë i mbyllur dhe i izoluar, dhe të gjitha këto ekspozita dhe shfaqje e paraqitje të cilat na kthejnë 25 vjet përpara nuk janë të tilla që më rikujtojnë mua sa më mësojnë për atë që më mungon. Andaj falënderoj me mirënjohjen më të thellë organizatoren për këtë”, tha ai, njofton Zyra e Kryeministrit, shkruan Arbresh.info
Duke kujtuar ditët e luftës, kryeministri theksoi se kjo ekspozitë njëmend na kthen pas, në muajt e parë të lirisë dhe sjellë në pah një periudhë historike të rëndësishme për të gjithë neve, na e sjellë kontrastitn ndërmjet çnjerëzores së një regjimi dhe bukurisë së hirshme të njerëzimit.
“Në veçanti në këtë ekspozitë mund të shihni jetën e rëndomtë të njerëzve në situata të ndryshme të cilat njerëzorja i bën të njëjta. Pra, do të mund të shihni jo ngjarjet e jetës që e bëjnë jetën ngjarje të mirë dhe ky fotodokumentim unik nga fotografi e gazetari Nick Sidle, është një testament për guximin dhe sakrificat e atyre që kanë kontribuar për paqe në vendin tonë”, veçoi ai.
Teksa komentonte fotografitë, kryeministri theksoi se është një mundësi për të reflektuar mbi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe kontributin e çmuar të KFOR-it në substancë të së cilës ishte NATO-ja.
Krahas atyre që kanë kontribuar në këtë ekspozitë, kryeministri shprehu mirënjohje e përjetshme për të gjithë paqeruajtësit që kanë shërbyer e shërbejnë në Kosovë.
“Kontributi juaj është i pamatshëm dhe i paharrueshëm”, tha ai.
Fjalë rasti mbajtën edhe Lord George Robertson, ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s dhe ministër i Mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, z. Jonathan Hargreaves.
Në këtë ekspozitë, kryeministri shoqërohej nga zëvendëskryeministret, Donika Gërvalla dhe Emilija Rexhepi si dhe ministrat, Hajrulla Çeku, Elbert Krasniqi dhe Rozeta Hajdari.
Ekspozita “KFOR and Kosovo + 25” po shfaqet në kuadër të agjendës shtetërore për shënimin e 25-vjetorit të çlirimit të vendit.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Ende jam nën mbresat e këtyre fotografive, të kësaj ekspozite që porsa e pash në një mënyrë të dyfishtë; e para për shkak se jemi në vigjilje të 25- vjetorit të çlirimit e të paqes, të hyrjes së trupave të NATO’s në Kosovë; dhe së dyti, për shkak se dy vitet e gjysmë të para të lirisë unë kam qenë rob lufte.
Nga i burgosur politik me datën 10 qershor, bëhem rob lufte dhe është kjo pjesë e cila më mungon. Janë ato dy vite e gjysmë të para të cilët nuk i di për shkak se kam qenë i mbyllur dhe i izoluar, dhe të gjitha këto ekspozita dhe shfaqje e paraqitje të cilat na kthejnë 25 vite përpara nuk janë të tilla që më rikujtojnë mua sa më mësojnë për atë që më mungon. Andaj falënderoj me mirënjohjen më të thellë organizatoren për këtë.
Faleminderit e nderuara zonja Sita Kumari, Drejtoreshë e Heartstone,
I nderuar Lord George Robertson, ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s dhe ministër i Mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar,
I nderuar ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, z. Jonathan Hargreaves,
Shkëlqesi ambasadorë të vendeve mike,
Unë jam këtu bashkë me shumë anëtarë të kabinetit të Qeverisë; me dy zëvendëskryeministret Donika Gërvalla Schwarz dhe Emilija Rexhepi dhe me disa ministra për të treguar përkushtimin tonë si Qeveri për trashëgiminë e përbashkët të çlirimit të Kosovës dhe të paqes në vendin tonë.
Përshëndes edhe të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës, Nënkryetaren, Saranda Bogujevci e cila vetë është e mbijetuar me 16 plumba në trup nga 28 marsi i vitit 1999 dhe më pastaj e shëruar në Manchester të Mbretërisë së Bashkuar.
E nderuar znj.Vjollca Aliu, zëvendësdrejtoreshë e Muzeut Kombëtar të Kosovës,
Të nderuar të pranishëm këtu që jeni dhe online, në veçanti fotografin Nick Sidle,
Jemi pra në ditët të cilat shënojnë 25- vjetorin e Çlirimit dhe pashmangshëm këto na kthejnë një çerek shekulli më parë, kur populli i Kosovës po i përjetonte ditët e fundit të luftës.
Më 10 qershor 1999, NATO-ja e pat përfunduar fushatën e bombardimeve mbi Jugosllavi, dhe i dha fund planit gjenocidal të Serbinë së Millosheviqit për shfarosjen e popullsisë shqiptare në Kosovë. Këshilli i Sigurimit i OKB-së e pat miratuar Rezolutën 1244 që autorizoi vendosjen forcës ndërkombëtare ushtarake dhe civile në Kosovë.
E në Kosovën e djegur e të mbushur me varre të të vrarëve nga masakrat dhe ekzekutimet, po ktheheshin qindra mijëra refugjatë të dëbuar dhunshëm nga shtëpitë e tyre.
Tani janë bërë 25 vjet nga lufta e Kosovës, dhe një brez i tërë i lindur pas luftës është rritur. Gjeneratat e reja, duhet të kenë mundësinë e njohjes së të kaluarës sonë, të dëshirës për të jetuar në liri dhe të dashurisë së pareshtur për Kosovën, në kohërat më të vështira e në kushtet më të rrezikshme.
Kjo ekspozitë njëmend na kthen pas, në muajt e parë të lirisë dhe sjellë në pah një periudhë historike të rëndësishme për të gjithë neve. Na e sjellë kontrastit ndërmjet çnjerëzores së një regjimi dhe bukurisë së hirshme të njerëzimit.
Krahas mbajtjes gjallë të kujtimeve, është edhe informuese dhe frymëzuese për brezat e rinj.
Në veçanti në këtë ekspozitë mund të shihni jetën e rëndomtë të njerëzve në situata të ndryshme të cilat njerëzorja i bën të njëjta. Pra, do të mund të shihni jo ngjarjet e jetës që e bëjnë jetën ngjarje të mirë dhe ky fotodokumentim unik nga fotografi e gazetari Nick Sidle, është një testament për guximin dhe sakrificat e atyre që kanë kontribuar për paqe në vendin tonë.
Është një mundësi për të reflektuar mbi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe kontributin e çmuar të KFOR-it në substancë të së cilës ishte NATO-ja.
Ne po shikojmë prapa në kohë që të ecim më sigurt dhe më shpejtë në të ardhmen evropiane e paqësore, demokratike e prosperuese.
Në këtë periudhe të shënuar me rreziqe të konsiderueshme për sigurinë evropiane dhe globale, ne e vlerësojmë thellësisht rolin thelbësor të NATO-s dhe mbështetjen e dhënë për Kosovën dhe sigurinë tonë. Me synim të qartë dhe përkushtim të pa rezervë për rrugën euroatlantike, falënderojmë çdo vend anëtar të NATO-s, asokohe ishin 19-të sot janë 32 për rolin dhe kontributin për vendin tonë.
Falënderimet më të përzemërta për të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë ekspozitë. Mirënjohje e përjetshme për të gjithë paqeruajtësit që kanë shërbyer e shërbejnë në Kosovë. Kontributi juaj është i pamatshëm dhe i paharrueshëm.
Jehona e ndarjes nga Muri i Berlinit, ndjehet edhe sot në je...
NASA, ekspozitë për ndryshimet e vazhdueshme që përjeton Tok...
Durrës, shkarkohen nga anija, kontejneret me mbetje të dyshu...
PDK’ja nesër mban konferencë për media
Alonso kërkon përqendrim maksimal për ndeshjen kundër Bochum
Arrestohet një person në Fushë-Kosovë, dyshohet për veprat ‘...