Sot u mbajt akademi përkujtimore nën patronatin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në shënim të 35-vjetorit të rënies së dëshmorëve të kombit Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, në të cilën mori pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, familjarë të dëshmorëve, përfaqësues të lartë të institucioneve shtetërore e veteranë dhe invalidë të luftës.
Në fjalën e tij, Kryeministri Kurti theksoi se përmes protokollit shtetëror të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ne e institucionalizojmë edhe më fuqishëm veprën e dëshmorëve Zhitia dhe Fazliu në qenien dhe në identitetin e shtetit tonë të pavarur e sovran.
“Si Kryeministër i Republikës së Kosovës, e ndjej gjithë peshën aq të rëndë por edhe aq të çmuar të veprës së heronjve të popullit, Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, e ardhur si një amanet politik për të gjithë ne, një amanet që duhet rilexuar veçanërisht në përvjetorët e rënies së tyre”, deklaroi ai në fjalën e tij.
Duke rikujtuar jetën dhe veprën e tyre, kryeministri përmendi angazhimin e Afrim Zhitisë në organizimin e protestave dhe demonstratave, kohë gjatë së cilës ai u njoh me Fahri Fazliun, me të cilin do të përjetësoheshin në historinë e Kosovës, të dy së bashku, nga ajo kohë e deri sot dhe përgjithmonë.
“Gjithë çfarë kishin vepruar dhe gjithçka nëpër çfarë kishin kaluar Fahriu dhe Afrimi, u provua dhe u sprovua më 2 nëntor 1989, kur të dy rezistuan të armatosur përballë njësiteve speciale të policisë, derisa ranë dëshmorë. Me aktin e tyre të rezistencës dhe qëndresës, Afrimi dhe Fahriu e përkryen veprën e tyre politike në një shembull të përbashkët, si dy shokë të idealit, si dy dëshmorë të kombit, si dy heronj të popullit tonë liridashës”, tha ai.
Në këtë akademi përkujtimore, ndër të tjera kryeministri theksoi se amaneti i Fahri Fazliut dhe Afrim Zhitisë u vazhdua nga shokët dhe bashkëveprimtarët e tyre, disa prej të cilëve ishin të pranishëm në sallë, ndërsa të tjerë u përjetësuan gjatë rrugës së lirisë, sikur vëllai i Fahriut, Bahri Fazliu, pastaj Agron Rrahmani, Ilir Konushevci, Zahir Pajaziti dhe shumë luftëtarë të tjerë.
“Dëshmorët janë të vetmit luftëtarë për liri të atdheut dhe për përparim të kombit, që me veprimtarinë e tyre e kanë përmbyllur llogarinë e obligimeve ndaj atdheut dhe kombi”, përfundoi kryeministri Kurti.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Duke e pikëprerë të kaluarën nëpër data historike, krijojmë stacione reflektimi për historinë tonë, nëpër të cilat na kthjellohet pikëpamja dhe kujtesa për të kaluarën dhe na qartësohet perspektiva dhe vullneti për të ardhmen. Të këtillë e kemi menduar dhe konceptuar këtë akademi përkujtimore për Afrim Zhitinë dhe Fahri Fazliun: si një ngjarje përkujtimore, pra edhe reflektive në njërën anë, dhe, si një ngjarje akademike, pra edhe studimore e historike në anën tjetër. Andaj sot jemi bërë bashkë këtu për të këmbyer kujtime me njëri-tjetrin dhe për të menduar bashkë mbi jetën dhe veprën e Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, këtyre dy dëshmorëve të lirisë së Kosovës dhe të heronjve të popullit shqiptar.
Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, kanë qenë dy veprimtarë të shquar politikë, të viteve ’80 të shekullit të kaluar. Të dy kanë lindur në mes të viteve ’60; të dy ishin nga treva e Llapit: Afrimi nga Lluga e Fahriu nga Llausha; të dy kanë milituar në të njëjtën organizatë, Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës dhe të dy janë vrarë së bashku duke rezistuar me armë deri në frymën e fundit, këtu e 35 vjet më parë, më 2 nëntor 1989.
Jeta dhe vepra e tyre, duket si një vepër e shkruar në bashkautorësi, por në të vërtetë, Afrimi dhe Fahriu janë dy personazhe historike të së njëjtës dramë, që ndonëse hyjnë në të njëjtën vepër me demonstratat e vitit 1981, ata shfaqen në një skenë të përbashkët tek në shtator të vitit 1989, pasi Afrimi dhe Fahriu ishin njohur vetëm gjashtë javët e fundit të jetës së tyre. Por, mbase kështu e ka puna e idealit përbashkues: jemi autorë bashkë pa qenë bashkautor; dhe, nuk jemi bashkautor kur nisemi pikërisht meqë do të bëhemi të tillë rrugës.
Si Afrimi ashtu edhe Fahriu, ishin nxënës të shkollës së mesme kur në vitin 1981 dolën në rrugë për t’iu bashkuar studentëve dhe gjithë popullit në demonstratat e pranverës së atij viti. Në shkurt të vitit 1984, pra një muaj pasi që u vranë Rexhep Mala e Nuhi Berisha, Afrimi u arrestua dhe u burgos, kurse në gusht, u dënua me 8 vite burgim. Gjatë katër viteve të kaluara në burg, Afrim Zhitia u formua teorikisht dhe politikisht, përmes leximeve të literaturës dhe nga përvoja e të qenit i burgosur politik, pra i dënuar për bindjet dhe për aktivitetin politik të tij.
Burgosja ia kishte ndërprerë shërbimin ushtarak në gjysmë, të cilin Afrimi u detyrua të kthehej për ta përfunduar, në qershor të vitit 1989, pas lirimit nga burgu. Ndërkohë, Afrimi ishte caktuar sekretar organizativ i LPRK-së, kurse Fadil Vata sekretar politik i organizatës. Por kësaj radhe, ishin zhvillimet politike të kohës me shokët, që e çuan Afrimin drejt ndërprerjes së shërbimit ushtarak. Më 13 shtator 1989, Afrimi u kthye nga shërbimi ushtarak me arsyetimin se do ta kryente një provim në fakultet, por një tjetër shërbim ushtarak dhe një tjetër provim e priste atë në Kosovë. Shërbimi dhe provimi për lirinë e Kosovës. Gjatë gjashtë javëve pasuese, Afrimi u angazhua intensivisht në organizimin e protestave dhe demonstratave, kohë kjo kur edhe u njoh me Fahri Fazliun, me të cilin do të përjetësoheshin në historinë e Kosovës, të dy, së bashku, nga atëherë e deri sot dhe përgjithmonë!
Fahri Fazliu ishte në vitin e fundit të shkollës së mesme, kur mësoi t’i demonstronte bindjet e tij politike mes mijëra studentësh dhe qytetarësh në demonstratat e vitit 1981. Menjëherë pas kësaj, ai e kreu shërbimin ushtarak, duke fituar njohuri ushtarake dhe përvojë jetësore që do t’i hynin shumë në punë deri në rënien e tij.
Që nga viti 1982, Fahriu arriti që për një kohë relativisht të shkurtër të njihej me veprimtarë dhe ish të burgosur politikë nga të gjitha trevat shqiptare nën ish-Jugosllavi, duke krijuar një rrjet të gjerë njerëzish, që për kohën do të thoshte më shumë mundësi bashkëpunimi dhe bashkërendimi, si dhe më shumë mundësi veprimi e mobilizimi.
Ky rrjet njohjesh u kthye nga Fahriu në armatë njerëzish për organizimin e demonstratave në vitet 1988 dhe 1989. Në këtë kohë, erdhi në shprehje i tërë profili politik i Fahriut, i ndërtuar ndër vite mes aksionesh dhe organizimesh, leximesh e diskutimesh, të përbashkuara nga ideja e përgatitjes përmes vetëdijesimit dhe emancipimit si dhe e organizimit të rezistencës përmes luftës çlirimtare.
Kështu, gjithë çfarë kishin vepruar dhe gjithçka nëpër çfarë kishin kaluar Fahriu dhe Afrimi, u provua dhe u sprovua më 2 nëntor 1989, kur të dy rezistuan të armatosur përballë njësiteve speciale të policisë, derisa ranë dëshmorë. Me aktin e tyre të rezistencës dhe të qëndresës, Afrimi dhe Fahriu e përkryen veprën e tyre politike në një shembull të përbashkët, si dy shokë të idealit, si dy dëshmorë të kombit, si dy heronj të popullit tonë liridashës.
Andaj sot, duke i kujtuar Fahriun dhe Afrimin përmes protokollit shtetëror të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ne e institucionalizojmë edhe më fuqishëm veprën e tyre në qenien dhe në identitetin e shtetit tonë të pavarur e sovran dhe brenda vlerave mbi të cilat është ngritur shteti ynë e drejt rrugës që atë e pret në të ardhmen. Si Kryeministër i Republikës së Kosovës, e ndjej gjithë peshën aq të rëndë por edhe aq të çmuar të veprës së heronjve të popullit, Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, e ardhur si një amanet politik për të gjithë ne, një amanet që duhet rilexuar veçanërisht në përvjetorët e rënies së tyre.
Por çfarë na thotë më saktë amaneti politik i Afrim Zhitisë dhe i Fahri Fazliut? Le ta lexojmë atë, duke i rikujtuar fjalët e tyre, gjegjësisht të Afrimit, kur në fjalimin e tij në demonstratën e 1 nëntorit 1989, pra vetëm një ditë para se të vritej, kishte thënë, po citoj: “…të bashkohemi rreth Lëvizjes dhe kushtrimin për liri ta çojmë në çdo shtëpi shqiptare.”, mbaron citati, e këtë kushtrim, Fahriu e kishte thënë mes shokësh panumër herë, duke këmbëngulur siç tregojnë ata po citoj: “vetëm me luftë të armatosur mund të çlirohet Kosova”.
Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia ranë dëshmorë për lirinë e Kosovës, kurse amaneti i tyre u vazhdua tutje nga shokët e bashkëveprimtarëve, të cilën janë edhe këtu në këtë sallë sot, kurse disa prej tyre u përjetësuan rrugës së lirisë, rrugës së çlirimit e të bashkimit, sikur në radhë të parë vëllai i Fahriut, Bahri Fazliu, pastaj Agron Rrahmani, Ilir Konushevci, Zahir Pajaziti dhe shumë e shumë luftëtarë të tjerë.
Dëshmorët janë të vetmit luftëtarë për liri të atdheut dhe për përparim të kombit, që me veprimtarinë e tyre e kanë përmbyllur llogarinë e obligimeve ndaj atdheut dhe kombit.
Të rënët për liri janë të vdekurit e gjallë, – siç i ka quajtur Bahriu në një varg poetik të tij – që askush nuk mund t’i marrë në llogari, por që secili prej nesh duhet të llogaritet me kutin matës të veprës së tyre, përballë një diference që kurrë nuk kompensohet, derisa edhe “ne të gjallët e vdekshëm” të largohemi nga kjo jetë, gjatë të cilës duhet të përpiqemi e të punojmë nën shembujt më të mirë të dëshmorëve.
E mes dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës e bashkë me të gjithë ata, Lavdi Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut!/Arbresh.info
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...