Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u prit nga përfaqësues të organizatave të mërgatës sonë në Jacobi Center në Nju Jork, me të cilët diskutoi për sfidat dhe mundësitë e organizimit të komunitetit shqiptaro-amerikan në kuadër të dialogut me mërgatën.
Kurti fillimisht prezantoi punën, prioritetet dhe sfidat e deritanishme të qeverisjes dhe i njoftoi për vizitën e tij në SHBA, e cila përveç tërheqjes së investimeve dhe sigurisë kombëtare, në fokus kishte edhe mobilizimin e mërgatës si pjesë integrale e rrugëtimit drejt zhvillimit ekonomik.
Në një bashkëbisedim të hapur, kryeministri Kurti po ashtu iu përgjigj pyetjeve të të pranishmëve rreth strategjisë së qeverisë për mërgatën dhe angazhimit të tyre në qëllimet edhe nevojat e institucioneve të vendit tonë.
Gjatë ditës, kryeministri Kurti mori pjesë edhe në organizimin tjetër të organizatave të mërgatës, në Staten Island, ku u takua dhe zhvilloi bisedë me përfaqësues të këtyre organizatave dhe mërgimtarë nga Kosova në Nju Jork./arbresh.info/