Kryeministri Kurti ka uruar autorin e librit “Tmerri ka Emër”, ish të burgosurin politik Asllan Selimin. Ky ditar historik ka kujtime nga lufta, burgu, gjykimi, dënimi dhe masakra në burgun e Dubravës.
Sipas Kurtit, autori me librin e tij ka dëshmuar të vërtetën mbi vuajtjet dhe sakrificat e të gjithë të burgosurve që patën fatin të përjetojnë ankthet e tmerrit në burgjet serbe.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
I nderuar shok i burgut dhe i vuajtjeve, z. Asllan Selimi,
E nderuara familje Selimi,
Të nderuara familje të dëshmorëve, martirëve dhe të rënëve për liri, invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Në pamundësi që të marr pjesë në këtë promovim të librit, më lejoni të shpreh admirimin tim të pafund për punën dhe angazhimin e palodhshëm që Asllani ka bërë duke na sjellë librin e duhur në kohën e duhur. Sot më shumë se kurrë na duhet ky format librash për të dëshmuar të vërtetën mbi vuajtjet dhe sakrificat e një brezi të tërë idealistësh që fatin e tyre e lidhën përjetësisht me fatin e popullit.
Libri “Tmerri ka Emër” i autorit, ish- të burgosurit politik dhe të mbijetuarit të masakrës së Dubravës, z. Asllan Selimi, është dëshmi autentike e radhës e cila na rikthen memorien tonë kolektive të atyre viteve që nuk guxojnë të harrohen. Përmes këtij libri, shoku ynë i burgjeve Asllan Selimi sjell përjetimet jo vetëm të tijat, por të gjithë të burgosurve të shumtë që patën fatin të përjetojnë ankthet e tmerrit në burgjet serbe.
Libri dëshmi e ditar “Tmerri ka Emër” është edhe një kontribut i çmuar në dokumentimin (madje në hollësi) e ekzekutimeve masive e gjenocidale të të burgosurve shqiptar në burgun e Dubravës, torturat dhe keqtrajtimit ndaj të burgosurve shqiptar si dhe shpirtin liridashës të të burgosurve politikë që nuk thyhej e nuk dorëzohej para mizorive të shumta të ushtruara gjithandej në burgjet serbe.
Asllani me këtë libër po shlyen një obligim të cilin ia pati dhënë vetës qysh kur ishte prapa grilave. Ai po mbante ditar në formë letrash sepse ajo ishte mënyra e vetme dhe më e sigurt për finalizimin e projektit të cilin e kishte filluar qysh atëherë. Tani pas gjithë kësaj kohe, ky libër merr peshë edhe më të madh, mu për shkak të rrethanave nëpër të cilat po kalojmë.
Duke ju përshëndetur edhe njëherë, uroj që të kemi sa më shumë libra të tillë të cilët padyshim se janë historia më e re e shqiptarëve e fundshekullit XX. /Arbresh.info/
Kosova mëson kundërshtarin e play-offit në Ligën e Kombeve
Kobra dhe të tjerët deklarohen të pafajshëm për vrasjen në P...
Orban fton Netanyahun në Hungari, pas lëshimit të fletarrest...
Gjykata Kushtetuese merr vendim për Berishën
Pacolli të shtunën takim humanitar në Gjermani
Mbappe nuk do të jetë më kapiten i Francës? – gazeta L’Equip...