Kurti u uron Vitin e Ri qytetarëve të komuniteteve joshumicë në Kosovë, bënë thirrje për bashkëpunim

17:47 | 31 Dhjetor 2023
E.H

Kryeministri i vendit, Albin Kurti përmes një adresimi u ka uruar qytetarëve të komuniteteve jo humicës në Kosovë, Vitin e Ri 2024.

Në ditën e fundit të vitit 2023, Kurti ka kujtuar të gjitha investimet që Qeveria i ka ndërmarrë për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë, ndërsa u ka bërë thirrje për bashkëpunim të mëtutjeshëm, përcjell Arbresh.info

Adresimi i plotë i Kurtit për qytetarët e komuniteteve jo shumicë në vend:

Të dashur bashkëqytetarë nga radhët e komuniteteve jo shumicë në Republikën tonë,

Teksa po i afrohemi fundit të vitit 2023, shpresoj që të gjithë të jeni shëndoshë e mirë dhe të gatshëm për të pritur një vit të ri së bashku me të dashurit tuaj.

Besoj se kemi gjëra për të festuar nga aktivitetet e Qeverisë gjatë vitit 2023 për të gjithë qytetarët, por edhe disa që kanë të bëjnë posaçërisht me komunitetet jo shumicë të Kosovës.

Krahas investimeve në arsim për të gjithë fëmijët dhe nxënësit, kemi krijuar mundësi veçanërisht për komunitetet jo shumicë. Për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian që tradicionalisht kanë qenë të nënpërfaqësuara në shkollat e mesme dhe arsimin e lartë, ne kemi ofruar bursa nga të cilat kanë përfituar 498 nxënës të shkollave të mesme, së bashku me 55 studentë në fakultetet publike. Me shumë prej tyre jam takuar këtë muaj për të dëgjuar nga ata për arritjet dhe ëndrrat e tyre.

Gjatë vitit 2023, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka dyfishuar mbështetjen financiare për komunitete. Përmes thirrjeve publike, kemi përkrahur 88 projekte, vlera totale e kësaj mbështetje arrin shumën mbi 400 mijë euro. Nëpërmjet botimit të librave dhe revistave, si dhe mbështetjes së autorit, janë publikuar 10 libra në gjuhët e komuniteteve jo shumicë gjatë këtij viti.

Përveçse edukim, jemi kujdesur që të ketë sa më shumë gjithëpërfshirje të të rinjve edhe në sport. Nxënës nga komunitetet e ndryshme jo shumicë janë bërë pjesë e programeve si “Arti në Shkolla”, “Drejt Malit” dhe “Kosova shtet i xhudos”.

Ndërkaq, përpos krijimit të platformës www.raportodiskriminimin.org për raportim dhe reagim ndaj rasteve të diskriminimit të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, ne kemi ofruar mbështetje për fëmijët e këtyre komuniteteve gjatë shkollimit të obligueshëm me 200,000 Euro për qendrat arsimore. Këtë muaj krijuam një grup pune ndërinstitucional për parandalimin dhe raportimin e martesave të hershme sepse nuk duam që asnjë vajzë apo djalë të braktisë shkollimin.

Sivjet e kemi rifilluar procesin e verifikimit të diplomave të Universitetit të Mitrovicës së Veriut duke ofruar kështu më shumë mundësi të reja të punësimit bartësve të këtyre diplomave. Gjithashtu kemi përgatitur bazën ligjore për zgjerimin e punës së komisionit me qëllim përfshirjen e verifikimit edhe të diplomave të shkollave të mesme nga viti i ardhshëm.

Punësimi është zotim dhe prioritet. Punësimi sjell mirëqenie dhe integrim. Për të rinjtë praktika i paraprinë punësimit. Përmes programit Kosova Generation Unlimited kemi ofruar praktikë me pagesë për të rinjtë. 9% e praktikantëve me pagesë përmes këtij programi vijnë nga radhët e komuniteteve jo shumicë, përqindje kjo përfaqësuese në raport me tërësinë e popullatës.

Për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, e kemi vazhduar punën me ekipin ndërinstitucional për respektimin e kuotave dhe punësimin e tyre në institucione publike.

Një fushë tjetër ku kemi investuar është respektimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve. Ne kemi krijuar bazën ligjore për Zyrën për Kontrollin dhe Harmonizimin e Gjuhëve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit në mënyrë që në vitin 2024 të kemi përkthim cilësor të ligjeve dhe akteve nënligjore në të dyja gjuhët zyrtare të Kosovës. Kemi investuar në Programin e Ballkanistikës në Universitetin e Prishtinës për trajnimin e përkthyesve të ardhshëm. Duke qenë të vetëdijshëm për rëndësinë e Zyrës së Komisionerit të Gjuhëve, ne kemi siguruar që buxheti i saj të trefishohet për vitin e ardhshëm për projektet me OJQ-të që punojnë drejtpërdrejt në sigurimin e zbatimit të plotë të Ligjit për Gjuhët.

As investimet në infrastrukturë nuk kanë munguar. Vlera e përgjithshme e investimeve kapitale të parapara për komunat me shumicë serbe në vend ishte mbi 12 milionë euro. Përmes Ministrisë për Administrimin e Pushtetit Lokal janë ndarë 1 milion euro për projekte infrastrukturore për komunitetet jo shumicë, dhe 3 milionë euro për ndërtimin apo renovimin e shtëpive të komuniteteve jo shumicë në komuna. Ky program pritet të vazhdojë edhe vitin tjetër. Së bashku me mjetet nga Ministria për Komunitete dhe Kthim, janë gjithsej 618 familje nga komunitetet jo shumicë që kanë pasur mjete të ndara për shtëpi të reja apo të rinovuara.

Këtë vit, për herë të parë ndamë fond të veçantë për komunitete jo shumicë në vlerë 3 milionë euro. Me to përmes Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, financuam 259 grante për fermerë, ndërmarrje dhe OJQ me qëllim nxitjen e punësimit te këto komunitete.

Rezultatet dhe arritjet e vitit 2023 për ne do të jenë motiv për vitin që po na pret. Qeveria jonë, shërben bashkë me ju dhe për ju. Prandaj, ju ftoj që të bashkëpunoni sa më shumë me ne.

Ju uroj të gjithëve shëndet dhe lumturi mot për mot, e për shumë mot. Gëzuar vitin e ri nga unë dhe Qeveria jonë!/Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme