Google ADS

Kurti u takua me përfaqësues të komunitetit kroat në Kosovë, diskutojnë për bashkëpunim

16:26 | 21 Nëntor 2023
E.G

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua ditën e sotme me përfaqësues nga komuniteti kroat në Kosovë, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja e tretë, Emilija Rexhepi.

Të pranishëm ishin dhe ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barisic, dhe përfaqësuesit kroatë në Këshillin Konsultativ të Komuniteteve pranë Presidencës, Josip Cirimotic dhe Silvana Palic, përcjell Arbresh.info.

Sipas njoftimit, temë e diskutimit ishte bashkëpunimi i Qeverisë me komunitetin dhe njohja më thellësisht me nevojat e tyre.

Po ashtu u fol për angazhimin e Qeverisë me komunitetin gjatë vitit e ku Kryeministri shprehu kënaqësinë e tij në marrjen pjesë në Meshë për Krishtlindje në Kishën e Janjevës, si dhe pjesëmarrjen e anëtarëve të kabinetit qeveritar në festimin e 720 vjetorit të Kishës në Janjevë më herët gjatë vitit.

Gjithashtu, u trajtua dhe ndihma e dhënë për qytetarët tanë nga Janjeva, të përzgjedhur nga komisioni për grante nga Zyra për Çështje të Komuniteteve, dhe punën e Qeverisë për zbatimin e plotë të ligjit për përdorimin e gjuhëve, në mënyrë që komunitetet joshumicë të kenë qasje në komunikimet prej qeverisë.

Përfaqësues të komunitetit kroat kanë falënderuar Kryeministrin për mundësinë për të bashkëbiseduar mbi sfidat e tyre dhe mundësinë për bashkëpunim.

“Ata veçuan nevojën për mbështetje infrastrukturore në Janjevë.”, njofton Kryeministria.

Ndërkaq, kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë për të punuar në sigurimin e kushteve sa më të mira për komunitetin kroat në Kosovë./Arbresh.info/

Të ngjashme