Kurti u prit nga Princi i Kuvajtit, diskutuan rreth fuqizimit të marrëdhënieve bilaterale

10:58 | 26 Shtator 2024
K.B

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u prit në New York nga Princi i Kuvajtit, Sabah Khaled Al-Hamad Al Sabah, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Zyra e Kryeminisrit njofton se në këtë takim, Kurti shoqërohej nga zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, si dhe Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në New York, Blerim Reka.

“Kryeministri Kurti dhe Princi i Kuvajtit Sabah Khaled Al-Hamad Al Sabah, biseduan rreth fuqizimit të mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale, mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit e rritjes së investimeve.Fillimisht, në emër të Republikës së Kosovës, kryeministri e falënderoi Kuvajtin për mbështetjen e vazhdueshme ndaj vendit tonë”, njofton ZKM-ja, shkruan Arbresh.info

Në vijim, teksa u trajtua progresi që ka njohur Kosova në vitet e fundit, kryeministri përmendi indikatorët kryesorë të cilët pasqyrojnë zhvillimin ekonomik, si mesatarja prej 6.2% e rritjes ekonomike, e cila u përshëndet edhe nga Princi i Kuvajtit, duke e uruar vendin tonë për hapat zhvillimorë drejt avancimit ekonomik të vendit.

Tutje thuhet se u bisedua dhe mbi potencialin investues në vend dhe mundësinë e zgjerimit të investimeve të kompanive nga Kuvajti në Kosovë në fusha si energjia e ripërtëritshme, agrikultura e infrastruktura.

“Kurti i ftoi kompanitë kuvajtiane që të vijnë të investojnë e zgjerojnë fushëveprimtarinë e tyre edhe në Kosovë duke operuar në një ambient të sigurt të të bërit biznes si dhe shtoi mundësinë e mbajtjes së një forumi investitorësh për bizneset në Kosovë”, njofton tutje ZKM-ja./Arbresh.info/

Të ngjashme