Kurti u përgjigjet kritikave: Në Bruksel shkova si kryeministër, jo si polic, doganier e as si shef i Kadastrit

12:39 | 24 Gusht 2022
E.H

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ka dhënë detaje se çka u diskutua në takimin e 18 gushtit ndërmjet tij dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Tutje Kurti u shpreh se takimi trilateral ishte paraparë të trajtonte vetëm dy tema: diskutimet për marrëveshjen finale dhe çështjet aktuale.

Ndërkaq, në pjesën e dytë tha se u diskutua për personat e zhdukur me dhunë dhe lirinë e lëvizjes.

Kurti tha se në këto tema nuk ka pasur propozime konkrete të palës serbe, por madje tha se ka pasur kushtëzime për zbatim asimetrik të marrëveshjeve ekzistuese dhe lëshim të sallës.

Kurti i ka quajtur të pavërteta deklaratat se pala serbe është treguar konstruktive takimin e 18 gushtit.

“Nuk kemi pasë propozime konkrete të palës serbe, kemi pasë kushtëzime për zbatim asimetrik të marrëveshjeve ekzistuese.

Deklarata se ka pasë propozime nga njëra palë dhe gatishmëri për kompromis janë të pavërteta. Ne kemi qenë të hapur për diskutime në këtë drejtim, mirëpo pala serbe ka dalur nga ndërtesa. Për ne do të ishte më e mira eliminimi i plotë i dokumenteve të hyrje-daljeve, të mos i ketë as Serbia, as Kosova. Madje kemi hedhur edhe idenë që të njihen të gjitha dokumentet, pse të mos njihen.

Nuk kemi pasë angazhim konstruktive e as propozime konkrete nga pala serbe”, u shpreh Kurti.

Kurti tutje tha se në Bruksel nuk ka shkuar as si polic, doganier, prokuror a gjykatës, por si kryeministër i Kosovës.

“Unë atje kam qenë si kryeministër, nuk kam qenë as si polic, doganier, prokuror e as gjykatës e as shef i Kadastrit. Kam shkuar si kryeministër sepse pika e parë ka qenë elementet e kornizës së përgjithshme të marrëveshjes finale”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Madje, Kurti tha se Serbia, po kërcënon SHBA-në dhe BE-në.

“Si e tillë, kjo përbën cenim të drejtpërdrejtë, si të sigurisë nacionale, ashtu edhe të rajonit në tërësi. Mendoj se këto kërcënime synojnë që padrejtësisht të krijojnë epërsinë në negociata, duke kërcënuar Bashkimin Evropian, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Mbretërinë e Bashkuar, me tensione në të ardhmen”, theksoi Kurti./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme