Kurti u drejtohet serbëve të Kosovës përmes një video: Mos u ndikoni nga regjimi autoritar në Beograd

20:37 | 25 Mars 2022
L G

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u është drejtuar sonte përmes një video qytetarëve të komunitetit serbë të Kosovës, për rastin e suspendimit të gjyqtares serbe, Liliana Stevanoviq.

Ai duke folur në gjuhën serbe, ka kërkuar nga ta që të mos ndikohen nga siç e ka quajtur ai, regjimi autoritar në Beograd, ku tha se atyre [qeverisë së Beogradit] nuk iu interesojnë të drejtat dhe përfitimi i serbëve në Kosovë, shkruan arbresh.info.

Sipas tij, për suspendimin e gjyqtares Liliana Stevanoviq mori vesh nga mediat, e kjo sipas tij, do të thotë që ajo nuk është larguar nga puna,.

Ai ka falënderuar qytetarët serbë për protestën paqësore, por shtoi se ajo do të ishte më e besushme po që se ata do të protestonin për drejtësi sociale, zhvillim të shpejtë e kundër krimit e korrupsioni.

“Unë angazhohem për drejtësi dhe të drejtën, por unë nuk jam kryesues i Këshillit Gjyqësor, e as anëtar. Ju falënderohem qytetarëve për mënyrën paqësore të të protestuarit. Në shoqërinë demokratike dhe shtetin ligjor njerëzit duhet të jenë të lirë të shprehin publikisht mendimet dhe qëndrimet e tyre. Por, më duhet të them, do të ishte më e besueshme po që se do të protestonim, p.sh për drejtësinë sociale, zhvillimin më të shpejtë dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit të organizuar. Ju lutem që të mos ndikoheni nga regjimi autoritar në Beograd”, thotë Kurti.

Tutje, ai tha se qeveria në Beograd përpiqet që ta destabilizoj Kosovën për qëllime zgjedhore, e ndoshta edhe për interesa luftëndjellëse të ndonjë fuqie të madhe, duke aluduar kështu në Rusinë.

“Atyre nuk u interesojnë të drejtat dhe përfitimi i serbëve në Kosovë. Ata përpiqen ta destabilizojnë Kosovën për qëllimet e tyre zgjedhore e ndoshta edhe për interesat luftëndjellëse të ndonjë fuqie të madhe. Prandaj, qytetarë të dashur, ju ftoj që ta ruani qetësinë dhe të besoni më shumë te Qeveria e Kosovës. Rritja ekonomike, lufta kundër korrupsionit, rritja e eksporteve, të ardhurat nga tatimet dhe doganat, rritja e investimeve të huaja dhe direkte dhe e buxhetit të shtetit na japin shpresë neve që jetojmë këtu”, ka thënë Kurti./arbresh.info/

Të ngjashme