Google ADS

Kurti u bënë thirrje bashkatdhetarëve të dalin në zgjedhjet e BE-së të dielën

13:57 | 5 Qershor 2024
E.H

Kryeministri i vendit, Albin Kurti u ka dërguar një mesazh bashkatdhetarëve të cilët jetojnë në vendet anëtare e Bashkimit Evropian.

Kurti u ka bërë thirrje shqiptarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e votës për zgjedhjet me 9 qershor në 27 vende të BE-së, përcjell Arbresh.info.

Përmes një video-mesazhi të publikuar në llogarinë e tij në Facebook, kryeministri ka bërë të ditur se zgjedhjet në BE kësaj radhe janë shumë më të rëndësishme dhe përcaktuese për të ardhmen e Evropës.

Ai ka theksuar se synimet e Rusisë janë dobësimi i BE-së dhe NATO-s teksa ka përmendur edhe synimin që shteti rus ka për Kosovën,, e që sipas tij është pengimi i cdo prespektive integruese.

Mes tjerash, i pari i ekzekutivit kosovar ka thënë se përkundër se Kosova padrejtësisht po vazhdon të jetë nën masa ndëshkuese nga BE-ja, si popull duhet ti njohim meritat e atyre që ndihmuan në çlirimin dhe pavarësimin e vendit.

“Sigurisht që Kosova që padrejtësisht ia imponuan masat shtrënguese që sot shtetet anëtare dhe Komisioni orvaten ti heqin ka arsye të sinqerta për t’ia shprehur mërinë BE-së. Por ne jemi një popull e Republikë e matur që i njohim meritat e atyre që ndihmuan në çlirimin e vendit tonë para 25 vjetëve, si dhe pavarësinë tonë të shpallur para 16 vjetëve. Liria jonë dhe e ardhmja jonë sigurohen me Evropës dhe brenda Evropës, për Bashkimin Evropian dhe me neve në BE. Si kryeministër i Kosovës, po e shpreh besimin tim që të votoni për forcat e përparimit, për ato forca që nuk janë ekstreme dhe janë të qarta në pozicionimin e tyre ndaj vendeve armiqësore me BE-në”, u shpreh Kurti.

Kurti tha se partia të cilën e udhëheqë i takon qendrës së majtë, dhe kësisoji përkrahë Aleancën Progresiste të Socialistëve dhe Demokratëve.

“Ne si Vetëvendosje i takojmë qendrës së majtë, forcës së dytë në PE, pra Aleancës Progresiste të Socialistëve dhe Demokratëve, apo SD siç njihet ndryshe. E mbështesim programin e tyre për një Evropës sociale, demokratike dhe të qëndrueshme”, tha Kurti./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme