Google ADS

Kurti tregon çfarë bisedoi me pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese

12:24 | 16 Nëntor 2023
L G

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka treguar se çfarë ka biseduar të mërkurën gjatë takimit me zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës dhe pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese (NJSI).

Sipas Kurtit, në takim me NJSI ishte bashke me ministrin e Brendshëm dhe atë të Financave, raporton Arbresh.info.

“Dje kishim një takim me zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës dhe pjesëtarë të  Njësisë Speciale Intervenuese, me të cilët diskutuam gjatë rreth kërkesave të tyre dhe arsyeshmërisë tonë mbi kategorizimin dhe vlerën e shtesave të rrezikshmërisë. Në takim bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati, i njoftuam dhe i siguruam ata se kategorizimin dhe vlera e shtesave është bërë me kujdes të veçantë e të shtuar, duke marrë në konsideratë të gjithë faktorët rreth punës dhe përgjegjësive të tyre, por në të njëjtën kohë duke pasur parasysh edhe kufizimet që ekzistojnë”, tha Kurti gjatë mbledhjes me ministrat.

Shefi i Qeverisë tha se në buxhetin për Ministrinë e Brendshme për vitin 2024 janë paraparë edhe përmirësimi i kushteve dhe pajisjeve të Policisë së Kosovës.

“Jemi dhe do vazhdojmë të mbetemi të përkushtuar për përmirësimin e kushteve dhe pajisjeve të punës për Policinë e Kosovës, në mënyrë që krahas lehtësimit në punë, të ndikojmë drejtpërdrejt po ashtu edhe në  uljen e rrezikut gjatë kryerjes së detyrave dhe përgjegjësive.  Ky përkushtim vërtetohet edhe në projektbuxhetin e Ministrisë së Brendshme për vitin 2024”, tha kryeministri Kurti.

Ndërkohë nga hyrja në fuqi vendimit për shtesat, sipas tij, do përfitojnë 7 mijë e 991 zyrtarë policorë./Arbresh.info/

LEXO EDHE

Qeveria miraton shtesat e rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës

Të ngjashme