Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka kujtuar kohën e pandemisë teksa ka përmendur arritjet e qeverisjes së tij në fushën e shëndetësisë.
Me anë të një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se menaxhimi i pandemisë Covid-19 ka konsumuar një kohë të konsiderueshme të vitit të parë të qeverisjes së tij, shkruan Arbresh.info.
Po ashtu, i pari i ekzekutivit kosovarë ka thënë se në Klinikën e Onkologjisë, nuk ka më listë të pritjes për terapi me rrezatim.
Mes tjerash, Kurti ka përmendur edhe funksionalizimin e Rezonancën Magnetike (MRI) në Spitalin e Pejës dhe në Klinikën e Pediatrisë, teksa ka kujtuar se një gjë e tillë do të realizohet së shpejti edhe në Spitalin e Prizrenit.
Postimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Pandemia COVID-19 për shumë prej nesh edhe mund të na duket si një kujtim i largët. Por menaxhimi dhe tejkalimi i saj ka konsumuar një kohë të konsiderueshme të vitit të parë të parë të qeverisjes sonë.
Në mars të vitit 2021, Kosova nuk kishte as edhe një vaksinë dhe asnjë kontratë për vaksina. Deri në fund të vitit, i siguruam 2.2 milionë vaksina dhe mbi 60% e popullatës së rritur u imunizua. Kosova, nga vendi i fundit në rajon, u bë vendi i parë në Ballkanin Perëndimor për nga shkalla e vaksinimit të popullatës. Vaksinimi masiv ishte ndërmarrja më e madhe shëndetësore ndonjëherë dhe sigurisht, çelësi i rikuperimit drejt ringjalljes ekonomike, sociale, kulturore.
Prej atëherë, kemi ndarë mbi 100 milionë euro më shumë për sektorin e shëndetësisë, 60 milionë për listën e re të barnave esenciale, dhe 6.5 milionë euro më shumë për barna me sëmundje të ralla. Sepse shëndetësia, në radhë të parë, ka nevojë për investime që sigurojnë shërbime.
Në Klinikën e Onkologjisë, nuk ka më listë të pritjes për terapi me rrezatim. Atë e kemi pajisur me një akselerator të ri në vlerën prej 1.4 milion euro, të cilave ia kemi shtuar edhe mbi gjysmë milionë euro për shtim të kapaciteteve spitalore. Në Klinikën e Neurokirugjisë, u investua në pajisje me vlerë 1.7 milion euro. Për Klinikën e Gjinekologjisë janë dedikuar 1.5 milion.
Funksionalizuam Rezonancën Magnetike (MRI) në Spitalin e Pejës dhe në Klinikën e Pediatrisë, kurse ajo në Spitalin e Prizrenit do të realizohet së shpejti. Gjithashtu, vumë në funksion Qendrën Kombëtare të Mjekësisë Sportive dhe Klinikën e Mjekësisë Fizikale me Rehabilitim Mjekësor.
Duke e shtuar numrin e inspektorëve farmaceutikë dhe shëndetësorë kemi dyfishuar kapacitet tona inspektuese.
Në kuadër të kujdesit parësor shëndetësor, u regjistruan mbi 65 mijë vizita në shtëpi për gratë shtatzëna dhe fëmijët deri në tre vjeç. Së fundmi, u kemi dhuruar komunave 29 vetura të reja me synim realizimin më të shpeshtë dhe më të lehtë të vizitave mjekësore në shtëpi. 34 komunave ua kemi siguruar pajisjet për shërbim akut emergjent, teksa ka filluar ndërtimi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Mamushë dhe Ferizaj, ndërkaq në procedurë janë QKMF-të në Drenas, Shtime dhe Istog.
Me Ligjin për Çmimin e Produkteve Medicinale, për herë të parë po krijojmë një sistem rregullativ për çmimin e barnave, për t’i bërë ato më të përballueshme për qytetarët tanë dhe për t’i mbrojtuar ata nga abuzimet me çmime. E me Udhëzimin Administrativ për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike, ndër të tjera, për herë të parë po bëhet caktimi i çmimeve referente, kurse personat me status të invalidit të luftës, anëtarët e ngushtë të familjes së dëshmorëve dhe viktimat civile të luftës do të kompensohen në shumën maksimale, pra 100% të vlerës së faturës.
Shëndetësinë e kemi prioritet edhe në buxhetin e vitit tjetër. Për vitin 2024 i kemi ndarë 340 milionë euro përfshirë edhe grantin për komunat, kurse ShSKUK do të ketë 25% më shumë buxhet./Arbresh.info
Kurti sot merr pjesë në manifestimin “Dita e Forcës së Sigur...
Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Sot mbahet ceremonia e 25 vjetorit të themelimit të SHKK-së,...
Mblidhet Qeveria, 30 pika në rend të ditës
Parashikimi i motit për sot
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...