Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti me rastin e 54- vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës, e ka cilësuar këtë universitet si institucionin shkollor më të rëndësishëm në historinë moderne të Kosovës.
Kurti në një postim në Facebook ka shkruar se themelimi i Universitetit të Prishtinës, ka hapur një epokë të re për jetën universitare, shkencore dhe shoqërore në Kosovë.
Postimi i plotë:
Në 54 – vjetorin e Universitetit të Prishtinës
Sot është ditëlindja e Universitetit të Prishtinës! Sivjet, Universiteti i Prishtinës është bërë 54 vjeçar. Ai është institucioni shkollor më i rëndësishëm në historinë moderne të Kosovës, ku janë shkolluar dhe formuar elitat intelektuale, kulturore dhe politike të shoqërisë tonë, që u kanë prirë proceseve për progres shoqëror, për rezistencë dhe çlirim si dhe për shtetndërtimin e Republikës së Kosovës.
Kurti ka shkruar dhe rreth historikut të themelimit të universitetit.
“Në Kosovë, universiteti u kërkua politikisht në demonstratat e vitit 1968, ku një nga parullat kryesore ishte “Dum Universitet”. Më 18 nëntor 1969, Kuvendi i Kosovës e miratoi Ligjin mbi Themelimin e Universitetit në Prishtinë. Më 13 shkurt të vitit 1970, i zhvilloi punimet Kuvendi i Parë i Universitetit të Prishtinës, ku u ngritën strukturat drejtuese të tij: u zgjodh Pleqësia me 29 anëtarë, u zgjodh rektor Profesor Dervish Rozhaja, si dhe u zgjodhën prorektorë Minir Dushi dhe Bozhidar Jovanoviq. Dy ditë më pas, më 15 shkurt 1970, në një mbledhje solemne u themelua Universiteti i Prishtinës, duke e hapur një epokë të re për jetën universitare, shkencore dhe shoqërore në Kosovë.
I themeluar fillimisht mbi tre fakultete, ndër vite Universiteti i Prishtinës shkoi duke u rritur dhe zgjeruar derisa tani ka 14 fakultete, me dhjetëra departamente dhe dhjetëra programe bachelor, master dhe të studimeve doktorale. Mijëra studentë kanë studiuar dhe janë diplomuar në Universitetin e Prishtinës, teksa i kanë inicuar dhe prirë shumë proceseve shoqërore dhe politike. Studentët e UP-së ishin zgjues të vetëdijes politike në protestat e vitit 1981, sikur edhe në protestat e viteve 1989 e 1990 dhe në lëvizjen studentore të viteve 1997 dhe 1998; studentët e UP-së ishin ideatorët e lëvizjes për pajtimin e gjaqeve në vitet 1990-’91; studentë të UP-së u bënë luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; studentë të UP-së ishin firmëtarë të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës më 2008; studentë të UP-së kanë shtruar dhe ndjekur rrugë akademike dhe shkencore të suksesshme në fusha të ndryshme në Kosovë dhe nëpër botë.
E mbarë qoftë rruga dhe udhëtimi i Universitetit të Prishtinës edhe në dekadën e gjashtë të tij: me lexime dhe studime; me ligjërata dhe provime; me hulumtime dhe botime; për shkencë dhe dije; për art dhe kulturë; për edukim dhe arsim; për universalen dhe publiken; për shoqërinë dhe shtetin; për progresin dhe mirëqenien; për historinë dhe të ardhmen!
Urime ditëlindja e 54-të e Universitetit të Prishtinës, studentëve të tij, stafit akademik dhe administrativ, si dhe të gjithë shoqërisë sonë!”, shkruan Kurti./Arbresh.info/
“Kobra”: Në natën kritike, rreth 30 persona ishin lënduar, j...
Biden zhvlerësoi urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare për arrest...
Vrasja te lokali “Kobra City”, Babai i viktimës: Më ka ik fë...
Vdes rreshteri i Policisë së Kosovës
Akuzohet për vrasje, “Kobra”: Nuk ndihem fajtor
Me pranga në duar e me 4 avokatë në mbrojtje, “Kobra...