Kryeministri Albin Kurti, vetëm tani e ka “kuptuar” ish-kryeministrin Hashim Thaçi, se pushteti bartë përgjegjësi dhe jo vetëm privilegje.
Kurti ishte një ndër opozitarët më të zëshëm gjatë qeverisjes së Hashim Thaçit, duke qenë kritik ndaj këtij të fundit edhe sa ishte president i vendit.
Njohësi i çështjeve politike, Fitim Salihu, thotë se me dëshirë asnjë politikan nuk do të përfshihej në dialog me Serbinë, por që është detyrë e tyre.
“Albin Kurti po e kupton tani që posti i kryeministrit bart edhe përgjegjësi, jo vetëm privilegje. Tani, Kurti e ka kuptuar se është radha e tij ta kap pataten e nxehtë, i pëlqeu apo jo. Ka qenë lehtë të kritikosh gjithçka nga opozita. Tani si kryeministër fillon puna e vështirë me tema të tilla të nxehta”, vlerëson Salihu.
Se procesi i dialogut është i pashmangshëm për çdo kryeministër e thotë edhe gazetari, Zekirja Shabani.
“Procesi i dialogut është i pashmangshëm për cilindo kryeministër. Vizita e Kurtit në Bruksel para fillimit të dialogut mund të shihet si përgatitje për një proces jo edhe aq të lehtë që e ka para vetës. Kryeministri Kurti po tenton të bëjë dallimin nga ish-Presidenti Thaçi, duke tentuar ta kthejë vëmendjen e BE-së tek Kosova si viktimë e regjimit të Millosheviqit që kërkon marrëveshje finale me epilog vetëm njohjen e shtetësisë nga Serbia”, deklaron Shabani.
Kujtojmë që Kryeministri Albin Kurti ka qëndruar tri ditë në Bruksel ku ka takuar përfaqësues të lartë.
Përveç Kurtit, para tij në Bruksel ka qëndruar edhe Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq.
Ndonëse kanë shkuar në të njëjtin vend dy përfaqësuesit e dy shteteve të cilat kanë marrëdhënie të acaruara ende, nuk kanë zhvilluar as një takim.
Për ta është paraparë që të zhvillohet një takim më 11 maj.
Është përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borell, ai që pas takimit më Vuçiq ka thënë se janë dakorduar që rifillimi i dialogut Kosovë-Serbi të ndodh më 11 maj mes Kurtit e Vuçiq.
E pro rifillimit të dialogut është shprehur edhe vetë kryeministri, Albin Kurti.
Kurti pas takimit me Borellin tha se dialogu nuk është neglizhua nga Kosova dhe se pritet të rifillojë në qershor, duke refuzuar takimin e 11 majit./V.Selimi/arbresh.info/
Burimi i përlotur lë shtëpinë, momenti që preku të gjithë
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...
Bedri Hamza shkon në Zubin Potok, dënon aktin nga vendi i ng...