Kurti takon Vickers, ia përmend Gjykatën Komerciale

12:13 | 14 Shkurt 2022
A. B.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Martin Vickers, deputet i Parlamentit Britanik, i Dërguar për Tregti për Ballkanin Perëndimor, emëruar nga kryeministri Boris Johnson, njëherit edhe kryesues i Grupit parlamentar gjithëpërfshirës për Kosovën në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar.

Duke theksuar se Mbretëria e Bashkuar është partner i domosdoshëm i Kosovës, kryeministri falënderoi emisarin për ndihmën dhe mbështetjen e dhënë nga Mbretëria e Bashkuar para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë, si dhe para dhe pas shpalljes së pavarësisë.

Zgjedhjet demokratike të para një viti, sollën legjitimitet e stabilitet institucional tha kryeministri Kurti. Kjo ndihmon shumë dhe po rezulton në rritje të bashkëpunimit ekonomik, tregti dhe investime, shtoi ai.

Vickers, vlerësoi veprimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës në luftimin e korrupsionit, thuhet në komunikatë.

Fakti që Kryeministri Johnson e ka emëruar një të dërguar për Ballkanin Perëndimor tregon se e marrim shumë seriozisht rajonin, tha Vickers.

Edhe pse nuk jemi më pjesë e Bashkimit Evropian, të jeni të sigurt se ne do të vazhdojmë t’u qëndrojmë afër dhe të ndihmojmë, theksoi ai.

Lidhur me mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik ndërmjet të dyja vendeve, kryeministri veçoi potencialin e mërgatës së madhe që ka Kosova në Mbretërinë e Bashkuar dhe që ata mund të jenë si urë lidhëse.

Kryeministri Kurti tha që Ligji për Gjykatën Komerciale do të rrisë sigurinë për investitorët dhe bizneset.

Ai veçoi potencialin e vendit tonë në fushën e teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit (TIK), procesimin e drurit dhe të metalit dhe bujqësinë dhe mundësitë e lidhjes së sistemit të edukimit me tregun e punës, nëpërmjet një sistemi të zhvilluar të edukimit dual.

Duke biseduar për ballafaqimin me pandeminë COVID-19, kryeministri theksoi se dy të tretat e popullsisë të moshës mbi 16 vjeç tashmë janë të vaksinuar, ndërsa po vazhdon vaksinimi edhe me dozën përforcuese. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme