Google ADS

Kurti takon Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, kardinalin Parolin

20:20 | 27 Shtator 2024
R J

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditë së tretë të qëndrimit në New York, ka takuar Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, kardinalin Pietro Parolin.

“Me themelimin e misionit të Posaçëm të Republikës së Kosovës në Vatikan, që shënon avancim të raporteve bilaterale, Republika e Kosovës dhe Selia e Shenjtë kanë treguar vullnetin për thellim të mëtejmë të marrëdhënieve. Takimi i sotëm në New York ishte mundësi shumë e mirë për të vijuar diskutimet mbi çështjet dhe fushat që bashkëpunimi i deritanishëm të fuqizohet edhe më tej”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.

Tutje, bëhet e ditur se kryeministri Kurti e ka njoftuar sekretarin Parolin rreth mbështetjes dhe mbrojtjes institucionale që Kosova i ofron objekteve të trashëgimisë kulturore dhe fetare. Ai ka folur edhe për përkushtimin e Republikës së Kosovës për respektimin e të drejtave dhe lirive fetare, dhe për politikat sociale dhe masat e punësimit të qeverisë.

“Kryeministri theksoi që Republika e Kosovës është vend i të gjithë qytetarëve të saj dhe që, në këtë drejtim, Qeveria punon në sigurimin e mundësive të barabarta për të gjithë drejt zhvillimit ekonomik të sigurt”, theksohet në njoftim.

Duke e falënderuar për takimin dhe për mikpritjen që i ishte bërë atij në Selinë e Shenjtë në qershor të vitit të kaluar, kryeministri Kurti e ka ftuar sekretarin Parolin që sikurse Kosova, edhe Selia e Shenjtë të hap misionin e saj në Republikën e Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme