Kurti takon përfaqësuesit e OVL e UÇK-së, diskutojnë pastrimin e listave të veteranëve

16:45 | 25 Mars 2022
L G

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Faton Klinakun, nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(OVL e UÇK-së), së bashku me kryetarët e disa degëve të organizatës së veteranëve të luftës.

Në këtë takim, kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Qeverisë për thellimin e bashkëpunimit me Organizatën e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me qëllim të përmirësimit të mirëqenies së veteranëve të UÇK-së, shkruan arbresh.info.

Ai shprehu gatishmërinë për takime të radhës që do t’i kontribuonin këtij qëllimi.

Përfaqësuesit nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës paraqitën kërkesat dhe shqetësimet e tyre lidhur me mirëqenien e veteranëve dhe mundësitë e shtimit të bashkëpunimit, për të përmirësuar gjendjen e tyre.

“U diskutua edhe çështja e pastrimit të listave, për çfarë përfaqësuesit nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shprehën gatishmëri për të gjetur mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen me Qeverinë”, thuhet në njoftim.

Gjatë takimit, ku ishte i pranishëm edhe Aziz Bici, këshilltar i Kryeministrit për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u bisedua edhe për tema të tjera të rëndësishme lidhur me statusin dhe gjendjen e veteranëve të luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës./arbresh.info/

Të ngjashme