Kurti takon kongresistin Bill Keating, flasin për punën një-vjeçare të Qeverisë

13:38 | 19 Maj 2022
A. B.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar kongresistin Bill Keating, i cili është anëtar i Komitetit për Punë të Jashtme në Kongresin amerikan dhe i Komitetit për Shërbimin e Armatosur.

Për takimin ka njoftuar Qeveria e Kosovës, përmes një komunikate për media ku thuhet se Kurti e ka falënderuar kongresistin për kontributin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën në të gjitha periudhat e shtetndërtimit.

Gjatë këtij takimi bëhet e ditur se kryeministri ka përmendur edhe disa nga punët e Qeverisë Kurti për një vit.

“Duke folur për të arriturat një-vjeçare të Qeverisë, kryeministri Kurti ka theksuar reformat në fushën e sundimit të ligjit, angazhimin e pakompromis kundër krimit dhe korrupsionit, që kanë ndikuar në ngritjen për 17 vende të pozitës së Kosovës në indeksin global të Transparency International, rritjen dyshifrore ekonomike, rritjen e të hyrave doganore dhe të investimeve të huaja direkte”, thuhet në njoftim.

“Ndër prioritetet e Qeverisë kryeministri ka theksuar rritjen e përkrahjes dhe të buxhetit për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Përkrahja e Forcës së Sigurisë, sipas kryeministrit, është e domosdoshme në mënyrë që vendi ynë të ketë ushtri të mirëtrajnuar e të pajisur sipas standardeve të ushtrive moderne të vendeve të NATO-s, të jetë e gatshme për mbrojtjen e vendit dhe kontributdhënëse për paqen, sigurinë dhe stabilitetin global”.

Vitin e kaluar kishim 330 ushtarë të ushtrisë sonë që morën pjesë në Defender Europe 21, që ishte ndërmarrja më e madhe ushtarake e NATO-s në Evropë, ndërsa FSK-ja u bë pjesë e misionit paqeruajtës të ushtrisë amerikane në Kuvajt, ka thënë kryeministri Kurti.

Ai e ka vlerësuar kontributin e madh të ShBA-së për ngritjen e kapaciteteve të FSK-së dhe ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për forcimin e mëtejmë të partneritetit strategjik dhe të bashkëpunimit me ShBA-në./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme