Google ADS

Kurti takon ambasadorin amerikan dhe Drejtoreshën për Çështje të Evropës Qendrore dhe Jugore në DASh

13:58 | 15 Dhjetor 2023
L G

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në takim ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier dhe Drejtoreshën për Çështje të Evropës Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit Amerikan, Collen Hyland.

Gjatë këtij takimi, Kurti i urojë mirëseardhje në Kosovë Drejtoreshës për Çështje të Evropës Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit Amerikan, Collen Hyland, raporton Arbresh.info.

“Takimet e ditës së sotme, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i filloi me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier dhe Drejtoreshën për Çështje të Evropës Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit Amerikan, Collen Hyland, të cilës i uroi mirëseardhje në Kosovë. Së bashku diskutuan për marrëdhëniet e forta dypalëshe ndërmjet vendeve tona, bashkëpunimin në shumë fusha, dhe tema e çështje që na presin deri në përfundim të vitit dhe vitin që po vjen. Një prej tyre ishte çështja e procesit të konvertimit të targave, nga i cili deri më tani mbi 4200 qytetarë serbë të Kosovës kanë përfituar prej lehtësimeve financiare të Qeverisë për regjistrimin e veturave me targa RKS”, thuhet në njoftim.

Kryeministri Kurti falënderoi Ambasadorin Hovenier dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për bashkëpunimin e ngushtë dhe mbështetjen e vazhdueshme përgjatë gjithë vitit.

“Vit ky që krahas zhvillimit dhe progresit ishte vit sfidues veçanërisht në aspektin e sigurisë për shkak të sjelljes agresive të Serbisë ndaj Kosovës dhe strukturave kriminale të saj, që u përcoll me tensione, sulme ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, institucioneve vendore e të gazetarëve në katër komuna në veri, rrëmbimin e tre policëve të Kosovës brenda territorit tonë, dhe sulmi terrorist e paramilitar i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri i policor, tani Heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku”, tha Kurti./Arbresh.info/

Të ngjashme