Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot ka zhvilluar një takim me komunitetin malazez, së bashku me zëvendëskryeministren Emilija Rexhepi.
Sipas njoftimit, në këtë takim u diskutua për mbështetjen ndaj komunitetit jo-shumicë gjatë këtij viti, duke përfshirë edhe grantet shtesë prej 3 milionë eurosh që u ndanë nga Ministria për Komunitete dhe Kthim, ku përfituese kanë qenë dhe OJQ-të malazeze, por edhe ndryshimet pozitive në zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe për zhvillimin e rrugëve që lidhin shtetin e Kosovës me atë të Malit të Zi – mes Deçanit dhe Plavës, dhe ndërmjet Pejës dhe Rozhajës, shkruan Arbresh.info.
Kryeministri ka theksuar rëndësinë e regjistrimit të popullsisë që do të mbahet në muajin prill të vitit të ardhshëm.
“Në këtë regjistrim, për herë të parë, çdo shtëpie i është dhënë e drejta të ketë regjistrues nga komuniteti i saj, për të mos ndjerë asnjë presion për të deklaruar ndryshe.”, thuhet në komunikatë.
Pjesëmarrës në takim ishin dhe zëvendësministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Lazar Raduloviq dhe Denis Ivic nga Këshilli Konsultativ për Komunitete pranë Presidencës, së bashku me ambasadorin e Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çoba.
Pjesëmarrësit kanë vlerësuar pozitivisht mundësinë për të biseduar për këto çështje dhe për të punuar së bashku përballë sfidave të përbashkëta./Arbresh.info/