Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në mbledhjen me nënkryetarët dhe zyrtarët komunalë për komunitetet, me temë qendrore diskutimi “Parandalimi i martesave të hershme”.
Përveç përfaqësuesve të institucioneve lokale, të pranishëm në këtë takim ishin edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Sylejman Elshani dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Erxhan Galushi.
Në fjalën e tij hyrëse, kryeministri Kurti theksoi se qëllimi i përbashkët i të gjithë akterëve të pranishëm, është parandalimi i martesave të hershme. Kjo dukuri, që i prek sidomos vajzat, siç tha kryeministri, pasohet me humbjen e mundësive të tyre në arsim, për fëmijët e tyre eventualë, dhe kësisoj për familje të tëra.
“Është fenomen përgjithësisht i fshehur, mirëpo shifrat e UNICEF-it me Agjencinë e Statistikave, prej vitit 2020 na tregojnë që në grup moshën 20 deri në 24 vjeç, 31% të grave e vajzave rom, ashkali dhe egjiptian kanë qenë të martuara nën moshën 18 vjeçare. Kjo nënkupton se qindra vajza, çdo vit, që kanë të drejtat dhe mundësitë e tyre për të ardhmen e tyre janë të dëmtuara rëndë”, shpjegoi tutje ai, shkruan Arbresh.info
Krahas institucioneve lokale, të cilat punojnë në mënyrë të vazhdueshme me vajza të cenuara dhe me familjarët e tyre, me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, u themelua Grupi Punues Ndërinstitucional për raportimin dhe parandalimin e martesave të hershme. Anëtarët e këtij grupi po vazhdojnë hartimin e një plani të veprimit të qartë dhe ambicioz, për çka u përgëzuan nga kryeministri Kurti.
Në anën tjetër, kryeministri përmendi faktin se, pavarësisht që ka lagje të caktuara ku çdo e treta vajzë martohet e re – si fëmijë, ky nuk është një problem në masë të njëjtë në çdo rajon të Kosovës.
“Ka komuna ku vajzat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian më shumë janë bërë shembuj për vijueshmërinë në shkollat e mesme dhe në fakultete, në aktivizimin edhe në aktivitete të ndryshme kulturore, shoqërore, publike”, shtoi ai, duke shprehur mirënjohje edhe për aktiviste të komuniteteve që angazhohen për luftimin e dukurisë së martesave të hershme.
Në fund, ky takim u cilësua një hap i rëndësishëm në zbatimin e planit të krijuar nga Grupi Punues Ndërinstitucional dhe në angazhimin e akterëve që janë kyçë për mbrojtjen e vajzave, mbrojtjen e të gjithë fëmijëve.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Faleminderit Elizabet,
E nderuara znj. Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë,
I nderuari z. Nenad Rashiq, ministër për Komunitete dhe Kthim,
I nderuari z. Erxhan Galush, deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës,
I nderuari z. Sylejman Elshani, zëvendësministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale,
Të nderuar anëtarë të grupit punues ndërinstitucional për raportimin dhe parandalimin e martesave të hershme,
Të nderuar partnerë ndërkombëtarë,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,
Mbledhja e kaq shumë profesionistëve të përkushtuar për një qëllim të përbashkët nënkupton se qëllimi mund të realizohet.
Qëllimi jonë është i përbashkët ndaj dukurisë së parandalimit të martesave të hershme. Kemi parë se sa e dëmshme është si fenomen – për vajzat e reja që martohen dhe e humbin mundësitë e tyre në arsim; për fëmijët e tyre eventual, dhe kësisoj për familje të tëra.
Është fenomen përgjithësisht i fshehur, mirëpo shifrat e UNICEF-it me Agjencinë e Statistikave prej vitit 2020 na tregojnë që në grup moshën 20 deri në 24 vjeç, 31% të grave e vajzave rom, ashkali dhe egjiptian kanë qenë të martuara nën moshën 18 vjeçare. Kjo nënkupton se qindra vajza, çdo vit, që kanë të drejtat dhe mundësitë e tyre për të ardhmen e tyre janë të dëmtuara rëndë.
E dimë që ky nuk është një problem në masë të njëjtë në çdo rajon të Kosovës. Ka komuna ku vajzat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian më shumë janë bërë shembuj për vijueshmërinë në shkollat e mesme dhe në fakultete, në aktivizimin edhe në aktivitete të ndryshme kulturore, shoqërore, publike. Por gjithashtu ka lagje të caktuara, ku çdo e treta vajzë martohet e re – si fëmijë.
Por sigurisht edhe në këto lagje, e di që ka aktiviste të komuniteteve që angazhohen për luftimin e kësaj dukurie. Gjithashtu, ka institucione komunale që kanë arritur të punojnë në mënyrë efektive me vajza të cenuara dhe me familjarët e tyre, dhe po mbrojnë të drejtat dhe sigurinë psiqike e fizike të vajzave dhe djemve. Kemi shembuj prej të cilëve mund të mësojmë shumë.
Kështu është ideja e krijimit të grupit punues ndërinstitucional për raportimin dhe parandalimin e martesave të hershme që kemi krijuar me Vendim të Qeverisë para gjashtë muajve. I përgëzoj anëtarët e grupit për punën që e kanë bërë deri më tani në hartimin e një plani të qartë dhe ambicioz të veprimit, por edhe për përkushtim në zbatimin e planit deri më sot.
Besoj që ky takim paraqet një hap të rëndësishëm në zbatimin e planit, dhe në angazhimin e akterëve që janë kyç për mbrojtjen e vajzave, mbrojtjen e të gjithë fëmijëve.
Siç jeni të informuar, sot është mbledhja komemorative për Akademikun e ndjerë, piktorin, Rexhep Ferri, një shkrimtar e profesor i jashtëzakonshëm i cili ndërroi jetë dje edhe përkundër planeve të mia të qëndroj në mbledhjen e sotme deri në fund, më duhet të ju kërkoj ndjesë dhe të largohem.
Megjithatë, gëzohem që këtu në mesin tuaj do të jenë ministrat e mi, zëvendësministri, të cilët do të vazhdojnë të diskutojnë, të kontribuojnë bashkë me juve, ndërkaq edhe Kryesuesja e Grupit Punues, këshilltarja ime Elizabet, do të më informoj për konkludimet e bisedave të sotme që do të zhvillohen këtu, për atë se si sa ma mirë mund të bashkëpunojmë për të mirën e vajzave dhe djemve të rrezikuar nga martesat e hershme.
Edhe njëherë shpreh mirënjohjen time për angazhimin e kontributin tuaj dhe ju uroj diskutime të frytshme e punime të mbara.
Faleminderit!/Arbresh.info/
Rritje e vrullshme/ Bitcoin arrin mbi 80 mijë dollarë
Horoskopi, çfarë parashikojnë yjet për ju
Liverpooli merr ‘dritën e gjelbër’ për transferimin sensacio...
EULEX-i sot prezanton raportin e tij të katërt publik të mon...
Puthje plot pasion mes Xhenetës dhe Gjestit
Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë sot pret në takim...