Pas drekës ministeriale të shtruar nga Drejtorja Ekzekutive e Forumit të Varshavës për Siguri, Katarzyna Pisarka, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti takimin e parë bilateral në kuadër të Forumit e zhvilloi me ministren e Punëve të Jashtme të Letonisë, Baiba Braže.
Letonia ka njohur pavarësinë tonë vetëm tre ditë pas shpalljes së saj me 17 shkurt 2008 dhe që atëherë e ka mbështetur Republikën e Kosovës në zhvillimin e saj dhe në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare. Duke shprehur mirënjohjen për përkrahjen e vazhdueshme, kryeministri theksoi rëndësinë e partneritetit bilateral dhe bashkëpunimit të afërt në avancimin e interesave të përbashkëta dhe mbrojtjes, si dhe promovimit të vlerave që Kosova dhe Letonia ndajnë përballë rreziqeve nga regjimet autokratike. Në këtë kontekst, diskutuan për mënyrat dhe mundësitë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Kryeministri Kurti e falënderoi ministren Braže për kontributin e Letonisë në sigurinë e vendit tonë përmes pjesëmarrjes së saj në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.
Gjatë takimit u diskutua edhe rreth zhvillimeve rajonale dhe situatës së sigurisë në kontinentin e Evropës, teksa agresioni ushtarak rus mbi Ukrainën po vazhdon dhe për rolin dhe përgjegjësinë që shtetet evropiane kanë për të mbështetur në mënyrë të pa rezervë Ukrainën në luftën e saj për çlirim, integritet territorial, sovranitet dhe demokraci.
Gjithashtu, kryeministri Kurti e njoftoi ministren Braže për zhvillimet në vend, raportet me Serbinë, rreziqet që ajo paraqet për Ballkanin Perëndimor për shkak të lidhjeve të afërta me Rusinë dhe për përfshirjen e saj të drejtpërdrejtë në organizimin dhe ekzekutimin e sulmit terrorist dhe paramilitar të një viti më parë në Banjskë, gjatë të cilit u vra rreshteri policor, Afrim Bunjaku, ndërkohë që autorët e sulmit vazhdojnë të jenë të lirë e të mbrojtur në Serbi dhe nga Serbia.
Kryeministri Kurti, në këtë takim shoqërohej nga Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe shefi i misionit të Kosovës ne Poloni, ambasadori Drilon Gashi./Arbresh.info
Salah i lumtur që futet në historinë e Liverpoolit
Sot nënshkruhen marrëveshjet për certifikim të produkteve
Putin takohet me kryeministrin sllovak në Moskë, bisedojnë p...
Ministria e Bujqësisë në Shqipëri: Mbi 85% e mandarinave pa ...
Aksident në mes dy automjeteve në Klinë
Arrestohet një grua në Prishtinë, nën ndikim të alkoolit sul...