Kurti takoi kryetaren e qytetit të Johnston, diskutuan mundësitë për thellim të bashkëpunimit

15:24 | 10 Dhjetor 2024
E.G

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti në takim kryetaren e qytetit të Johnston në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Paula Dierenfeld.

Sipas njoftimit, së bashku biseduan për marrëdhëniet e mira mes Iowa-s dhe Kosovës dhe miqësisë sonë, gjersa trajtuan mundësitë për thellim të bashkëpunimit në fusha si agrikultura, arsimi, mbrojtja dhe sporti, shkruan Arbresh.info.

Kurti e njoftoi për zhvillimin ekonomik e progresin demokratik të vendit në katër vitet e fundit, duke veçuar dhe investimet e avancimet në fushat e shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes.

Shtoi se Kosova është edhe shtëpi e organizimeve të rëndësishme sportive, gjersa po përgatitemi për mbajtjen e Lojërave Mesdhetare 2030 dhe ndërkohë që në korrik të vitit të ardhshëm do mirëpresim Kampionatin Evropian në volejboll për grupmoshat U16 të vajzave së bashku me Shqipërinë.

Përgjatë takimit, shefi i qeverisë theksoi dhe bashkëpunimin, partneritetin e aleancën e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ndër projektet e përbashkëta madhore është edhe programi Kompakt i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, MCC, si investim në energjinë e ripërtërishme përmes baterive për ruajtjen e energjisë, në vlerën prej 236.7 milionë dollarësh./Arbresh.info/

Të ngjashme