Google ADS

Kurti takohet me OJQ-të boshnjake e serbe, flasin për hapjen e Urës së Ibrit

23:10 | 16 Gusht 2024
R J

Në disa takime të njëpasnjëshme, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut, Emilija Rexhepi bashkëbiseduan sot me grupe përfaqësuesish të OJQ-ve boshnjake dhe serbe nga Kosova, përfshirë edhe ato që veprojnë në komunat në veri të vendit tonë.

 Bashkë diskutuan për situatën e përgjithshme socio-ekonomike dhe politike, zhvillimet e fundit dhe temat aktuale. Kryeministri Kurti dhe zëvendëskryeministrja Rexhepi u njoftuan rreth veprimtarive të OJQ-ve, punën që e bëjnë në komunitete dhe projektet e tyre në promovimin e të drejtave të komuniteteve joshumicë dhe ngritjen e mirëqenies së tyre. U bisedua edhe rreth çështjes së hapjes së Urës kryesore të Mitrovicës mbi Ibër. Kryeministri i dëgjoi me vëmendje këndvështrimet dhe komentet e gjithsecilit, përfshirë ato për reagimet e mundshme. Ai e theksoi vullnetin e mirë të qeverisë të shfaqur ndaj të gjitha komuniteteve joshumicë, pa dallim, për gjatë gjithë mandatit, përmes programeve të punësimit dhe transfereve.

SuperPuna, Qeveria për Familjet, praktika me pagesë, programi Kosovo Generation Unlimited, Praktikë në Qeveri, fondi 3 milionësh për komunitete joshumicë, grantet e ndryshme, pakot mbështetëse e masat për efiçiencë, tanimë janë emërtime të mirënjohura në të cilat ndjehet dhe lexohet dora e mirë e shtetit demokratik të Kosovës. Nga të gjitha këto kanë përfituar të gjithë qytetarët pa dallim.

 Po ai vullnet dhe interes e përcjell edhe qëllimin për hapjen e urës në Mitrovicë, nga e cila përfitojmë edhe në ekonomi, me lëvizjen e lirë të mallrave, përveçse në aspektin shoqëror e kulturor me shkëmbime sa më të shpeshta dhe integrim sa më të qëndrueshëm. Në këtë frymë bashkëpunimi u pat mbajtur edhe takimi publik me qytetarët të Komunës së Mitrovicës së Veriut me 8 gusht në hapësirat e Kuvendit Komunal të po kësaj komune.

 Kryeministri falënderoi përfaqësuesit e pranishëm për diskutimin e hapur dhe angazhimin e vazhdueshëm të tyre në komunitetin e tyre të veçantë dhe shoqërinë e shtetin tonë të përbashkët.

Të ngjashme