Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në mbrëmjen gala të organizuar me sportistët fitues, veteranët e sportit dhe sportistët.
“Qeveria e Kosovës, e ka shumë të qartë, se sporti është një e mirë publike që forcon edhe komunitetin edhe shtetin. Po ashtu, e dimë se jemi në momente vendimtare me mundësinë për të dizajnuar sistemin e ardhshëm të sportit, ashtu siç duam, dhe mbi të gjitha ashtu siç e meritojnë të rinjtë”, tha Kurti transmeton arbresh.info.
“Këtë vit i kemi ndarë mbi 7 milionë euro përmes skemave të mbështetjes direkte për afër 300 përfitues, organizata sportive e profesionistë të sportit. Kjo reflekton rritje prej 15%, krahasuar me vitin 2021, ndërsa në krahasim me vitin 2020 rritje për 45%. Ndërkaq, buxheti tashmë i miratuar për vitin 2023, do të jetë më i larti ndonjëherë me mbi 3.2 miliardë euro, e në të cilin është reflektuar edhe rritja e buxhetit për sportin”, shtoi ai.
Kryeministri theksoi se sportistët dhe sportistet tona, janë model për të rejat e të rinjtë, e frymëzim për të gjithë.
“Ju jeni ata që na kujtoni se si: maturia, qëndresa dhe besimi, mbeten instrumentet më të mira për të shkëlqyer – jo vetëm në sport, por në secilën përpjekje”, tha ai.
“Le ta bëjmë sportin pasqyrë në të cilën e shohim shoqërinë tonë si tërësi, dhe le ta përdorim atë për të ndërtuar botën që duam dhe shtetin që e meritojmë”, tha kryeministri, në përmbyllje të fjalës së tij.
Fjalimi i tij i plotë:
Shumë të nderuar sportistë dhe sportiste kampione,
Kam kënaqësinë e veçantë të jem sonte këtu me ju,
I nderuar Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z.Hajrulla Çeku,
Të nderuar zëvendësministra, z.Daulina Osmani dhe z.Sylejman Elshani,
I nderuari kryetar i Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, z.Ardian Gola,
I nderuar ambasador i Japonisë në Kosovë, z. Yamanaka,
I nderuar President i Komitetit Olimpik të Kosovës, z.Ismet Krasniqi,
Të nderuar udhëheqës të federatave sportive dhe parasportive,
Të nderuar trajnerë, referë, gazetarë dhe punëtorë sportiv,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,
Mirëmbrëma dhe mirë se erdhët.
Vitit 2022 po i afrohet fundi. Nesër fillon java e mbramë e tij. Por, pa dyshim që ky ishte një vit me shumë çaste të cilat do të mbahen mend gjatë, e të cilat do t’u mbijetojnë viteve që do të vijnë.
Sportistët dhe sportistet tona, të gjithë ju, shumë prej të cilëve po i shoh edhe sonte këtu, jeni model për të rejat e të rinjtë, e frymëzim për të gjithë neve.
Qofshin kampionë të mëdhenj si ju, apo thjesht pjesëmarrës entuziastë në sport, sportistët janë ata që vazhdojnë të dëshmojnë rëndësinë e përkushtimit, disiplinës e të pasionit.
Ju jeni ata që na kujtoni se si: maturia, qëndresa dhe besimi, mbeten instrumentet më të mira për të shkëlqyer – jo vetëm në sport, por në secilën përpjekje.
Sporti ka bërë punë të jashtëzakonshme në krijimin e ndjenjës së përkatësisë. Në çdo paraqitje të reprezentacioneve dhe klubeve të Kosovës, dhe jo vetëm – por edhe atëherë kur luan Xhaka dhe Shaqiri, Vedati dhe Kosovare Asllani – në fillimisht jemi në ethe të ndeshjes, e pastaj festojmë, sepse ku janë sportistët tanë, aty zakonisht janë edhe fitoret.
Me sukseset e secilit prej jush, i treguam botës, se kur rinisë tonë i ipet mundësia, ata shkëlqejnë. Me rezultate e tyre lartësuan emrin e Republikës tonë.
Me mbi 300 aktivitete sportive të zhvilluara në Kosovë, e me pjesëmarrje në mbi 200 aktivitete ndërkombëtare, sportistët tonë përveç lojës në terrene sportive, kanë luajtur goxha edhe me zemrat tona.
Kemi qenë bashkë në humbje e në fitore. E u jemi gëzuar tejmase sukseseve të tyre e të tonave.
Andaj, edhe unë dua të shpreh admirimin dhe mirënjohjen time për secilin e secilën prej jush.
Faleminderit të gjithëve, që na i mbushët zemrat plot përgjatë gjithë vitit. Ju jeni krenari për Kosovën dhe çdo shqiptar kudo që është.
Qeveria e Kosovës, e ka shumë të qartë, se sporti është një e mirë publike që forcon edhe komunitetin edhe shtetin. Po ashtu, e dimë se jemi në momente vendimtare me mundësinë për të dizajnuar sistemin e ardhshëm të sportit, ashtu siç duam, dhe mbi të gjitha ashtu siç e meritojnë të rinjtë.
Këtë vit i kemi ndarë mbi 7 milionë euro përmes skemave të mbështetjes direkte për afër 300 përfitues, organizata sportive e profesionistë të sportit.
Kjo reflekton rritje prej 15%, krahasuar me vitin 2021, ndërsa në krahasim me vitin 2020 rritje për 45%.
Ndërkaq, buxheti tashmë i miratuar për vitin 2023, do të jetë më i larti ndonjëherë me mbi 3.2 miliardë euro, e në të cilin është reflektuar edhe rritja e buxhetit për sportin.
I kemi dhënë prioritet mbështetjes së aktivitetit fizik me qëllim të ndërtimit të një shoqërie të shëndetshme dhe aktive përmes programeve të dedikuara për fëmijët dhe të rinjtë në shkolla dhe në lagje.
Më këtë synojmë të jemi shembull për rritjen e pjesëmarrjes me aktivitet fizik, për rritjen e buxhetit dhe investimeve dhe për progresin e qeverisjes në sport, ashtu siç jemi për rezultatet sportive.
Kësisoj, përveç që po ju mundësojmë sigurojmë zhvillimin e mirëqenies fizike dhe sociale të gjithëve nga të gjithë, përmes ndërlidhjes institucionale të arsimit me sportin, të sportit me shëndetin, mbrojtjen dhe sigurinë, njëkohësisht edhe po sigurohemi që sporti do të vazhdojë të mbetet shembull i suksesit në vend e në arenën ndërkombëtare.
Angazhimi ynë për ngritjen e sportit në nivel tjetër të zhvillimit është vendimtar dhe i vendosur, ashtu siç është angazhimi i çdo organizate sportive, Komitetit Olimpik dhe Paralimpik të Kosovës, federatave sportive dhe parasportive, klubeve dhe shoqatave sportive. Sporti nuk do të ishte këtu, pa punën tuaj.
Andaj ju përgëzoj për angazhimin tuaj dhe uroj që puna ekipore dhe qëndrueshmëria të na përcjellë edhe përgjatë rrugëtimit tonë, për reformën sportive dhe konsolidimin e mëtutjeshëm të rezultateve të mëtutjeshme.
Vullneti i hekurt dhe puna e pandalshme drejt sukseseve kulminante, le të jenë motiv dhe shembull i punës sonë të përbashkët për të ardhmen.
Le ta bëjmë sportin pasqyrë në të cilën e shohim shoqërinë tonë si tërësi, dhe le ta përdorim atë për të ndërtuar botën që duam dhe shtetin që e meritojmë.
Ministria dhe Qeveria, janë infrastruktura shtetërore për zhvillimin tuaj, për suksesin tuaj, për suksesin tonë.
Urime festat e fundvitit dhe ju dëshiroj sukseset më të mëdha në Vitin e Ri!
Ju faleminderit shumë të gjithëve dhe gëzuar 2023-shi!/arbresh.info/
Kritika ndaj autoriteteve gjermane pas sulmit në tregun e Kr...
Drita e mbyll si kampione stinorin vjeshtor, Ballkani e ndje...
Kurti: Kemi rritur pensionet dy herë gjatë mandatit
“Boll more më”, Xheneta me ashpërsi i kthehet Rovenës, ja re...
Begaj viziton Mirditën, inkurajon binjakëzimin dhe bashkëpun...
Fitojnë Drita e Ballkani