Google ADS

Kurti: Sot është ditë zie në Kosovë, e bashkë me pikëllimin dhe dhimbjen ndjejmë edhe krenari dhe besim për Afirimin

13:58 | 25 Shtator 2023
L G

Në nderim të heroit të kombit, rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku sot është mbajtur mbledhje komemorative.

Bunjaku u vra mëngjesin e së dielës nga grupet kriminale serbe në fshatin Banjskë të Zveçanit, raporton Arbresh.info.

Gjatë kësaj mbledhje komemorative ishte i pranishëm edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se dita e sotme është ditë zie në vendin tonë, për shkak të pikëllimit dhe dhembjes së përbashkët për Afrim Bunjakun, rreshterin e policisë sonë që e humbëm dje.

“Dita e djeshme, e diela e 24 shtatorit 2023, na ka mbledhur ne sot këtu dhe shpirtërisht me gjithë Kosovën për ta nderuar veprën e Afrim Bunjakut, pjesëtarit të Policisë së Kosovës të rënë në kryerje të detyrës. Dita e sotme është ditë zie në vendin tonë, për shkak të pikëllimit dhe dhembjes së përbashkët për Afrim Bunjakun, rreshterin e policisë sonë që e humbëm dje. Por e sotmja, është edhe dita kur do t’i bëhen nderimet më të larta shtetërore dhe gjithëpopullore policit Afrim Bunjaku, sepse bashkë me pikëllimin dhe dhembjen, ndjejmë krenari dhe besim për Afrimin dhe për të gjithë policët e Policisë së Kosovës. Për policinë tonë që me veprimet e saj profesionale dhe të guximshme dje e pamundësuan një skenar më të gjerë kriminal e terrorist”, tha Kurti.

Sipas tij, reagimi profesional i Policisëm rezultoi me eliminimin e disa terroristëve e kriminelëve, arrestimin e disa të tjerëve dhe neutralizimin e gjithë grupit të tyre.

“Le ta themi qartë edhe sot, sikurse dje: Afrim Bunjaku u vra gjatë një sulmi ndaj policëve të Kosovës dhe ndaj vetë shtetit tonë, nga një grup personash shumë të armatosur dhe të pajisur rëndë, të trajnuar profesionalisht dhe me plan, të përkrahur politikisht, të financuar materialisht dhe të mbështetur logjistikisht nga Serbia. Reagimi profesional i Policisë sonë rezultoi me eliminimin e disa terroristëve e kriminelëve, arrestimin e disa të tjerëve dhe neutralizimin e gjithë grupit të tyre si dhe konfiskimin e shumë armatimeve dhe mjeteve të tjera mbështetëse logjistike”, tha kreu i ekzekutivit./Arbresh.info/

Fjalimi i plotë i Kurtit

Dita e djeshme, e diela e 24 shtatorit 2023, na ka mbledhur ne sot këtu dhe shpirtërisht me gjithë Kosovën për ta nderuar veprën e Afrim Bunjakut, pjesëtarit të Policisë së Kosovës të rënë në kryerje të detyrës. Dita e sotme është ditë zie në vendin tonë, për shkak të pikëllimit dhe dhembjes së përbashkët për Afrim Bunjakun, rreshterin e policisë sonë që e humbëm dje. Por e sotmja, është edhe dita kur do t’i bëhen nderimet më të larta shtetërore dhe gjithëpopullore policit Afrim Bunjaku, sepse bashkë me pikëllimin dhe dhembjen, ndjejmë krenari dhe besim për Afrimin dhe për të gjithë policët e Policisë së Kosovës. Për policinë tonë që me veprimet e saj profesionale dhe të guximshme dje e pamundësuan një skenar më të gjerë kriminal e terrorist.

Le ta themi qartë edhe sot, sikurse dje: Afrim Bunjaku u vra gjatë një sulmi ndaj policëve të Kosovës dhe ndaj vetë shtetit tonë, nga një grup personash shumë të armatosur dhe të pajisur rëndë, të trajnuar profesionalisht dhe me plan, të përkrahur politikisht, të financuar materialisht dhe të mbështetur logjistikisht nga Serbia. Reagimi profesional i Policisë sonë rezultoi me eliminimin e disa terroristëve e kriminelëve, arrestimin e disa të tjerëve dhe neutralizimin e gjithë grupit të tyre si dhe konfiskimin e shumë armatimeve dhe mjeteve të tjera mbështetëse logjistike.

Nga dje, asgjë më nuk mund të jetë njësoj, faktet dolën sheshazi përballë nesh, në sytë tanë dhe të bashkësisë ndërkombëtare si dhe në sytë e secilit që ka kurajo dhe vullnet për ta parë të vërtetën e rajonit në të cilin jetojmë.

Ky reagim profesional dhe i matur i institucioneve të Kosovës dje, ishte në përputhje me vetë natyrën e shtetit tonë demokratik dhe properëndimor.

Afrim Bunjaku 50 vjeçar nga Samadrexha e Vushtrrisë, ishte i martuar dhe bashkë me gruan e tij Lumnije Hazirin, ishin prindër të tre fëmijëve: Arbenitës 25 vjeçare, Jetlumit 18 vjeçar dhe Fatlumit 10 vjeçar. Ky i fundit, e ka trashëguar emrin e të vëllait Fatlumit, që ishte 17 vjeçar, kur më 2012 e kishte humbur jetën në një aksident trafiku.

Pas kryerjes së Shkollës së Shërbimit Policor të Kosovës në vitin 2001, Afrim Bunjaku ka shërbyer në stacionin policor në Vushtrri deri më 4 maj 2007, kur ishte graduar rreshter. Rreshter Afrim Bunjaku e vazhdoi shërbimin e tij për shtatë vite si udhëheqës i ekipit në stacionin policor në Mitrovicë të Jugut deri në vitin 2014, kur u kthye sërish në Vushtrri për të shërbyer si instruktor në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.

Nga viti 2015, Afrimi shërbeu si udhëheqës i ekipit reagues në stacionin policor të Vushtrrisë, kurse nga 6 janari i vitit 2023, Afrim Bunjaku ka qenë i caktuar në stacionin policor në Zveçan, në detyrën e mbikëqyrësit të ekipit patrullues. Plot 22 vite të kaluara në uniformën e Policisë së Kosovës, pra që nga viti 2001, e deri në ditën kur ra në kryerje të detyrës me po këtë uniformë, janë vite shërbimi dhe sakrifice që e bëjnë hero Afrim Bunjakun: hero të Republikës së Kosovës!

Sot, përballë e pranë fotografisë me portretin e Afrim Bunjakut në uniformë të policisë së Republikës sonë dhe përballë veprës së tij heroike, përkulemi me nderime dhe respekt, si dhe zotohemi për drejtësi dhe kujtesë.

Ne bëjmë atë që duam sepse duhet. Ligjshmëri dhe kushtetutshmëri, paqe dhe siguri, për të gjithë dhe secilin pa dallim.

Lavdi rreshter Afrim Bunjakut, heroit të Republikës së Kosovës!

Ju faleminderit.

 

Vajza e heroit të kombit, Afrim Bunjaku: Na mësove çdo gjë, por vetëm si të jetojmë pa ty jo

Rreshteri Afrim Bunjaku shpallet hero i Kosovës, nderimin e pranuan dy djemtë e tij nga Presidentja

Të ngjashme