Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, se pjesëmarrja e grave në institucionet e sigurisë, garanton suksesin e Kosovës.
“Nuk ka pas ndonjë fazë kur gratë nuk kanë qenë të përfshira për liri dhe paqe dhe angazhimi i grave nuk ka munguar në shtetndërtim. Ato kanë mbajtur armë të ndryshme në dorë me një qëllim të vetëm për paqe për të gjithë.
Fjalimi i plotë i Kryeministrit Kurti:
Është kënaqësi që jam sot mes jush, në hapje të Forumit Gratë, Paqja dhe Siguria. Është kënaqësi që jemi bashkë në këtë temë kaq të rëndësishme. “Gratë, paqja dhe siguria”, nuk është veçse temë por edhe mision. Është si trinom i pandashëm.
Shpesh është dukur që thirrja për siguri i drejtohet burrave së pari. Çdo ditë e më shumë po shihet se nuk është e saktë. Gratë i përgjigjen edhe thirrjeve emergjente edhe thirrjeve të përditshme për paqe e siguri. Sikur që është vetë përpjekja e jetës së tyre. Sepse gratë janë më të interesuarat për paqen dhe politikat e sigurisë. Ndoshta se ato janë më të kërcënuarat nga mungesa e këtyre dyjave. Andaj gati secila bëhet gardiane e kësaj qetësie të kërkuar. Siguri për gratë dhe burrat kudo. Paqe për të gjithë anëtarët e shoqërisë.
Të nderuar të pranishëm,
Nuk ka pasur asnjë etapë ku gratë nuk janë përfshirë në thirrjet e përpjekjet për liri dhe paqe. Angazhimi i grave dhe vajzave të Kosovës nuk ka munguar as për shtetndërtim dhe nuk mungon në mbajtjen dhe funksionimin e shtetit tonë çdo ditë. Ato kanë mbajtur armë, bukë, laps, mikrofona dhe megafona në dorë me të vetmen kërkesë. Paqe, por paqe për të gjithë. Për veten dhe për fëmijët e tyre. Për kombin dhe për të ardhmen. Dhe historitë e ngjashme kanë plot shtete të përcaktuara drejt vlerave demokratike siç është edhe shteti ynë.
Të nderuara zonja dhe zotërinj,
Duke parë luftën në Ukrainë teksa po zhvillohet, kujtojmë prapa në kohë luftën tonë për liri – gra dhe burra, vajza dhe djem së bashku. Pjesëmarrja e grave dhe vajzave në forca të rendit dhe sigurisë e tejkalon vetveten. Është edhe trasim i rrugës për çdo vajzë që ndjekë këtë drejtim në jetë me guxim dhe vendosmëri.
Numri aktual i grave dhe vajzave në Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës është domethënës, por patjetër duhet rritet edhe më tej. Nuk ka garanci tjetër për paqen dhe sigurinë pos që ajo të realizohet nga gratë dhe burrat bashkë. Por nuk ka as tjetër alternativë. Kjo është garancia më e drejta, më e sigurta dhe më e efektshmja e mundshme. Më shumë gra në forcat dhe organet e rendit do të thotë edhe promovim e realizim më i mirë i të drejtave të njeriut dhe të pakicave.
Interesimi dhe numri në rritje i grave e vajzave në fushën e sigurisë është tregues i mirë për orientimin dhe të ardhmen e vendit tonë.
Gratë dhe vajzat e Kosovës kanë sakrifikuar shumë. Ato kanë qenë edhe viktima e kanë qenë edhe luftëtare. Ato kanë kontribuar në shumë kategori. Kanë kontribuar edhe më shumë në demokratizimin e institucioneve të Republikës. Prandaj, mbështetja dhe inkurajimi i tyre është detyrë për mua.
Shembujt aktualë e historikë janë të shumtë. Gratë jo veç i kanë ndihmuar politikat e sigurisë por edhe i kanë udhëhequr ato. Andaj edhe populli ynë u beson grave njëjtë sikur edhe burrave kur vjen fjala për çështje të sigurisë. Si qytetarë dhe si institucione jemi përcaktuar për Komandanten Supreme, për Presidenten e Republikës, znj. Vjosa Osmani Sadriu.
Të nderuar pjesëmarrës të Forumit Gratë, Paqja dhe Siguria,
Pavarësisht përparimeve dhe ndryshimeve pozitive që kemi bërë si shoqëri dhe si shtete, sfidat janë gjithashtu të mëdha. Ne shohim gjithkund, në çdo institucion, edhe ato të sigurisë, dijen, kontributin, përvojën dhe praninë e grave. Por synimi ynë është shumë më shumë. Pjesëmarrje e barabartë gjithkund.
Andaj si Kryeministër i Republikës së Kosovës shpreh gatishmërinë, vullnetin dhe mbështetjen time të plotë e të pakursyer në fuqizimin e rolit të grave dhe rritjen e pjesëmarrjes së tyre.
Avancimi i realizimit të të drejtave në vendimmarrje, paqe, siguri dhe drejtësi, garantimin e arritjes së barazisë gjinore. Ky është një Objektivi i tretë strategjik i Programit të Kosovës për barazi gjinore 2020 -2024, drejt arritjes të së cilit jemi të angazhuar bashkë në Kosovë.
Pjesëmarrja e grave në vendimmarrje, institucione dhe forca të rendit e sigurisë, është domosdoshmëri. Nuk mjafton vetëm përfshirja formale, nevojitet pjesëmarrja aktive. Përfshirja do të thotë kontribut i grave, por pjesëmarrja do të thotë se edhe fitojnë ato. Gratë japin kontribut, andaj duhet edhe të përfitojnë. Barazia gjinore do të thotë liri, jo vetëm integrim; do të thotë pjesëmarrje, jo vetëm përfshirje. Nëse nuk ka zë gruaje në përgjigjen institucionale ndaj të gjitha kërcënimeve të sigurisë njerëzore, edhe reagimi do të jetë gjysmak, i pa balancuar. Ashtu do të humbasim nuancat e domosdoshme për përgjigje efikase, për të shpëtuar jetën, dinjitetin dhe vlerat qytetare.
Grave duhet t’u njihet kontributi sepse u është mohuar shumë gjatë. Ato duhet të marrin pjesë sepse ato duhet të kenë këtë drejtë dhe se e meritojnë .
Të dashur miq,
Kur flasim për paqen, përfundojmë duke folur për drejtësi dhe siguri; kur flasim për siguri, përfundojmë duke folur për ekonomi dhe demokraci; kur flasim për demokraci, përfundojmë duke folur për gratë dhe rininë. Andaj, le të ia fillojmë me gratë, vazhdojmë me rininë dhe sigurisht arrijmë paqe dhe siguri. /arbresh.info/
Hovenier uron Kosovën për fitoren ndaj Lituanisë
Banori i ri mollë sherri mes Xhenetës dhe Gjestit, këngëtari...
Senatori amerikan letër Blinkenit: ShBA t’i mbajë sytë nga K...
Raportohet se Putin ka ftuar Vuçiqin për vizitë në Moskë
Katër ushqime mund të ulin kolesterolin e lartë, pohon një n...
Kosova e mbyll me fitore ndaj Lituanisë kampanjën në Ligën e...