Kurti: Sivjet buxheti i komunave është 195 milionë euro më shumë se në vitin 2021

18:02 | 1 Prill 2024
E.H

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se këtë vit buxheti i komunave është 742 milionë euro apo 195 milionë euro më shumë se në vitin 2021.

Me anë të një postimi në Facebook, Kurti ka theksuar se nga anëtarësimi në organizatën ndërkombëtare Open Government Partnership komunat dhe qytetarët përfitojnë nga qeverisja e hapur, llogaridhënëse dhe gjithëpërfshirëse, përcjell Arbresh.info.

Postimi i plotë:

Sivjet buxheti i komunave është 742 milionë euro – 195 milionë euro më shumë se në vitin 2021. Granti i Përgjithshëm për Komuna për vitin 2024 është gati 285 milionë euro, që njëherësh është granti me vlerën më të madhe ndonjëherë.

Nga anëtarësimi në organizatën ndërkombëtare Open Government Partnership komunat dhe qytetarët përfitojnë nga qeverisja e hapur, llogaridhënëse dhe gjithëpërfshirëse. Me miratimin e Ligjit të Performancës po rrisim transparencën e komunave ndaj qytetarëve. Përmes platformës E-Komuna po lehtësohet marrja e shërbimeve komunale. Kurse nga organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030 dhe investimet në infrastrukturë sportive që do t’i paraprijnë ato dhe turizmit gjatë lojërave do të përfitojmë të paktën 10 komuna gjithandej vendit tonë.

E shtuam bashkëpunimin në fushën e mjedisit përmes Kartës së Komunës së Gjelbër dhe të Qëndrueshme. Për të rritur efiçiencën në objekte publike, i rinovuam 112 sosh, përfshirë kopshte të fëmijëve, shkolla, shtëpi shëndeti e stacione të zjarrfikësve, në mbi 20 komuna, nga cilat përfitojnë direkt mbi 60 mijë qytetarë. Kurse me qëllim të thellimit të bashkëpunimit dhe zgjerimit të mëtutjeshëm të komunikimit ndërmjet Qeverisë me komunat ftuam e organizuam gjashtë takime të rregullta me kryetarë të komunave.

Ditë më parë, nënshkruam marrëveshje me vlerë mbi 8 milionë euro me kryetarët e 11 komunave përfituese të Grantit të Performacës, për projekte që kanë të bëjnë me rregullimin dhe pastrimin e shtratit të lumenjve, ndërtimin e fushave sportive, e rregullimin e ndriçimit publik. Po ashtu për të vazhduar e thelluar bashkëpunimin ndërkufitar janë përmbyllur me sukses programet e bashkëpunimit ndërkufitar në kuadër të IPA II (2014-2020) me: Shqipërinë, 13 projekte në vlerë 8.5 milionë euro; Maqedoninë e Veriut, 18 projekte në vlerë 7.99 milionë euro; si dhe Malin e Zi, 24 projekte në vlerë 7.51 milionë euro. Gjithashtu janë miratuar programet e reja të IPA III (2021-2027) në vlerë prej 25.2 milionë euro. Thirrja e parë pritet të shpallet në tremujorin e dytë 2024.

Ndërkaq, në kuadër të Programit për Zhvillimin Rajonal të Balancuar për vitet 2021, 2022, 2023 dhe 2024 janë financuar gjithsej 80 projekte të ndryshme në infrastrukturë publike dhe zhvillim socio-ekonomik rajonal në 34 komuna të ndryshme me vlerë 9.3 milionë euro.
Pra më shumë buxhet, më shumë mbështetje, më shumë mundësi për zhvillim të komunave dhe shërbim ndaj qytetarëve./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme