Google ADS

Kurti: Sikur sulmi të arrinte qëllimin, pasojat do të ishin marramendëse

18:07 | 1 Dhjetor 2024
R J

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë ftuar konferencë për media, për të dhënë detaje mbi zhvillimet e reja rreth sulmit në kanalin e “Ibër Lepencit”.

Kurti u shpreh se përgjatë dy ditëve të fundit janë ndërmarrë masa për të mbajtur përgjegjësit e sulmit në fjalë dhe për të rregulluar dëmin e shkaktuar, shkruan Arbresh.info

“Për gjatë dy ditëve të fundit kemi ndërmarrë një sërë masash për të identifikuar dhe mbajtur përgjegjës kryerësit e sulmit terrorist dhe kriminal në njërën anë, dhe për të minimizuar dëmin në infrastrukturë, e për të evidentuar dhe evituar çrregullimin e furnizimit me shërbime bazë për qytetarët e Kosovës në anën tjetër, pesha e pasojave të këtij sulmi po të arrinte qëllimin e tij do të ishte marramendës, ky sulm kishte për qëllim të shkaktonte dëme të pa riparueshme në infrastrukturën kritike të Republikës së Kosovës, duke vënë në rrezik sigurinë kombëtare dhe duke çrregulluar jetën e të gjithë qytetarëve të vendit tonë”, tha Kurti.

Sipas tij, po të arrihej qëllimi i sulmit, gjysma e popullatës në Kosovë, do të mbetej pa energji elektrike.

“Po të arrihej qëllimi ky sulm terrorist do shkaktonte potencialisht, për javë të tëra, ndërprerje të prodhimit të energjisë nga Termocentrali “Kosova B”, duke lënë pa energji elektrike mbi gjysmen e popullatës së Kosovës, dhe pa ngrohje 130 mijë qytetarë të Prishtinës.

“Më tej, do të kishim ndërprerje të furnizimit të fabrikave të ujt në Shkabaj, Drenas, Shipol dhe Balincë, duke lënë pa ujë mbi 300 mijë qytetarë të Mitrovicës së Jugut, Skenderajt, Vushtrrisë, Mitrovicës së Veriut, Zvecanit, Drenasit, Fushë Kosovës, dhe Obiliqit, duke rrezikuar furnizimit për mbi 300 mijë të tjerë në Prishtinë”, shtoi Kurti.

Tutje, Kurti shtoi se dëmet direkte financiare nga nevojat për import të furnizimit me energji do të ishin së paku 2.5 milionë euro në ditë e 100 mijë euro tjera për ujë.

“Për javë të tëra, potencialisht do të ngeleshim pa energji elektrike dhe do të rrezikoheshin edhe shërbime të tjera kritike që varen nga energjia elektrike sikurse telekomunikimet, dëmet direkte financiare vetëm nga nevojat për import të furnizimit me energji, do të ishin së paku 2.5 milionë euro në ditë e 100 mijë euro tjera për ujë,  por qëllimi i tyre ishte shkaktimi I dëmit, edhe I atij ekonomik, qëllimi i çrregullimit i jetës së shëndetit të qytetarëve dhe rrezikimi i sigurisë sonë kombëtar”, përfundoi ai./Arbresh.info/

Të ngjashme