Google ADS

Kurti: Shtatorja e Rugovës në Podujevë, e pasuron ikonografinë e shesheve

17:12 | 7 Shtator 2024
R J

Kryeministri Albin Kurti ka shkruar në Facebook, pas zbulimit të shtatores së ish-presidentit Ibrahim Rugova në Podujevë. Ai ka theksuar se në përvjetorin e 34-të të Kushtetutës së Republikës së Parë të Kosovës, e njohur si Kushtetuta e Kaçanikut, në Podujevë u zbulua shtatorja e Dr. Ibrahim Rugovës, Presidentit të parë të Kosovës (24 maj 1992) dhe njëkohësisht Presidentit të parë të Kosovës së çliruar (4 shkurt 2002).

“Fillimi i dekadës së fundit të shekullit të kaluar ishte i rëndë dhe i vështirë, por: Dr. Gazmend Zajmi ishte në krye të hartimit të kushtetutës për mëvetësi me vetëvendosje; Anton Çetta i printe pajtimit të gjaqeve mes shqiptarëve; Adem Demaçi u kthye te populli i tij pas gjithsej 28 vite nëpër burgje; Dr. Ibrahim Rugova e udhëhiqte Alternativën për pavarësi me një rezistence paqësore; Dr. Ejup Statovci ishte në krye të rimbëkëmbjes së Universitetit të Prishtinës; Ukshin Hoti organizonte demonstrata popullore e shkruante për demokraci autentike; Akademik Rexhep Qosja dominonte debatet historike dhe frymëzonte rininë patriotike; etj”, ka shkruar ai.

Sipas tij, në fillim të asaj dekade, pasi ishin kthyer nga stërvitjet ushtarake në Shqipëri, Adem Jashari, Zahir Pajaziti dhe Sali Çekaj organizonin grupet e armatosura drejt formimit të UÇK-së.

“Qëndresa shoqërore që i parapriu protestave aktive studentore dhe luftës së lavdishme çlirimtare, kërkonte angazhim intelektual e kontribut qytetar, përkushtim kombëtar e nivel kulturor, vetëdije politike e afirmim ndërkombëtar. Me fjalën e qetë dhe të urtë, me punën e vazhdueshme dhe të durueshme, Presidenti Rugova përfaqësonte politikat e tij në Kosovë dhe jashtë saj, për liri, për demokraci dhe për pavarësi. Kjo shtatore e Presidentit Ibrahim Rugova në Podujevë, e realizuar si vepër arti nga skulptori Gëzim Muriqi, e pasuron ikonografinë e shesheve tona publike në nderim dhe kujtim për të”, ka shkruar Kurti.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme