Google ADS

Kurti: Shëndeti mendor, element thelbësor për zhvillimin personal, komunitar e socio-ekonomik

18:37 | 18 Maj 2023
E.H

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, sot morën pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Psikologjisë “Shëndeti Mendor në shkollë: Intervenimet e bazuara në evidencë” të mbajtur në ambientet e Fakultetit Filozofik.

Në fjalën e tij Kurti thekosi se shëndeti mendor është element thelbësor për zhvillimin personal, komunitar e socio-ekonomik.

Në lidhje me këtë, tha se Qeveria e Kosovës, e cila beson fuqishëm në potencialin e kapitalit tonë njerëzor, ka zhvilluar politika të cilat fokusohen në fëmijët dhe të rinjtë të cilët janë boshti i orientimeve tona ndërsektoriale në arsim, shëndetësi, mirëqenie, kulturë, sport e ekonomi.

Derisa kurrikula e re për moshën 0-6 vjeç është në finalizim, Kryeministri shtoi se po e rrisim qasjen e fëmijëve në edukimin e hershëm ku rrjedhimisht kemi rritur dukshëm edhe numrin e profesionistëve mbështetës që ndihmojnë në zhvillimin e nxënësve, siç janë asistentët e psikologët.

“Ashtu që askush të mos mbetet mbrapa, në dy vite, janë angazhuar mbi 160 asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta. Për vitin 2023, kemi buxhetuar 300 asistentë, ndërkaq mandatin synojmë ta përmbyllim me 500 asistentë”, deklaroi Kurti.

Në anën tjetër, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim të ngushtë me Departamentin e Psikologjisë, është duke i kushtuar vëmendje parandalimit dhe adresimit të dhunës, dhe ngacmimeve në shkolla, me ç’rast kryeministri Kurti theksoi se gjatë vitit të kaluar janë trajnuar më shumë se 200 profesionistë.

Paralelisht më këtë, kryeministri tregoi se për një qasje gjithëpërfshirëse, është themeluar Forumin Nacional për Shkollat Miqësore me emërtimin “Rritemi Bashkë”, forum ky i cili avokon, promovon e koordinon zbatimin e politikave të sigurisë dhe të zhvillimit të shëndetshëm të fëmijëve e të të rinjve.

Gjatë konferencës, vëmendje kryeministri i dha edhe punimit të profesorëve të Departamentit të Psikologjisë, të publikuar para 3 viteve, i cili përveç të dhënave të dobishme për politikbërje, vë në pah edhe rëndësinë e klimës shkollore, si dhe dukshmërinë e ndërlidhjes së saj me nivelin e dhunës dhe viktimizimit.

Në fund të fjalës së tij, Kryeministri përsëriti që kohën t’ua përkushtojmë fëmijëve sepse ata janë e tashmja dhe e ardhmja e këtij brezi.

Ai uroi që konkludimet e kësaj konference të nxjerrin në pah sfidat dhe të ofrojnë rekomandime të vlefshme që mund të përdoren nga të gjithë hisedarët./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme