Kurti: Shëndetësia publike po transformohet shpejt dhe rrënjësisht

19:18 | 17 Nëntor 2024
E.G

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka përmbledhur disa nga përurimet që janë bërë këtë javë në shëndetësi dhe disa nga punët tjera që po kryhen.

Me anë të një postimi në Facebook, ai ka listuar zhvillimet në shëndetësi, shkruan Arbresh.info.

Ai ka thënë se këtë javë u përurua barnatorja qendrore në Gjilan dhe Urgjenca e re në Podujevë, ndërsa shton se punimet në Klinikat e Nefrologjisë dhe Hemato-Onkologjisë po ecin me ritme të përshpejtuara, kurse në QKSUK tashmë ofrohet trajtimi për zgjerimin rapid të nofullës së sipërme me ekspanderë fiks – Hirax.

Kurti shtoi se shëndetësia publike duke ofruar shërbime të reja, aparatura të teknologjisë së fundit e infrastrukturë moderne, po transformohet shpejt dhe rrënjësisht.

Postimi i plotë:

Java në shëndetësi

Në Gjilan u përurua Barnatorja Qendrore, një hapësirë moderne për ruajtjen dhe shpërndarjen e barnave, e realizuar me një investim prej mbi 300 mijë euro. Po ashtu, aty u adaptua edhe një pjesë e Fiziatrisë për ofrimin e shërbimeve ditore fiziatrike për pacientët.

Në Podujevë u përurua Urgjenca e re, e financuar nga Komuna e Podujevës dhe “Qatar Charity” e cila do të ofrojë shërbime urgjente dhe emergjente me standardet më të larta shëndetësore për qytetarët e Podujevës por edhe të vendit, rajonit, përfshirë bashkatdhetarët tanë.

Punimet në Klinikat e Nefrologjisë dhe Hemato-Onkologjisë po ecin me ritme të përshpejtuara. Projekti, me sipërfaqe 3760 m² dhe vlerë 4.3 milionë euro, ishte planifikuar të përfundojë për 48 muaj, tani pritet të përfundojë për 24 muaj. Ky projekt, përveç infrastrukturës moderne, sjell shërbime të reja si: transplantimi i palcës kockore dhe shërbimi i plazmaferezës duke kursyer qytetarët nga trajtimet jashtë vendit.

Metoda të reja për trajtime në stomatologjinë publike. Në QKSUK tashmë ofrohet trajtimi për zgjerimin rapid të nofullës së sipërme me ekspanderë fiks – Hirax. Kjo metodë bashkëkohore zëvendëson aparatin mobil, i cili kërkonte 1.5 deri në 2 vjet për të arritur rezultatet, ndërsa tani procesi zgjat vetëm 3 deri në 6 javë.

Shëndetësia publike duke ofruar shërbime të reja, aparatura të teknologjisë së fundit e infrastrukturë moderne, po transformohet shpejt dhe rrënjësisht./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme