Google ADS

Kurti: Serbia paraqet kërcënim direkt për rajonin, për paqen dhe sigurinë tonë

18:31 | 5 Mars 2022
V. S.

Kryeministri Albin Kurti deklaroi sot se derisa Serbia nuk pranon të nënshkruajë deklaratë mos-sulmimi e paqeje me Kosovën, dhe nuk distancohet nga agresioni rus për pushtimin e Ukrainës, dhe në të njëjtën kohë nuk i bashkohet demokracive të tjera në sanksionimin e Rusisë, ajo përbën kërcënim direkt për rajonin, për paqen dhe sigurinë tonë afatgjate e të përbashkët.

Ai këto komente i bëri sot në mbledhjen e Këshillit të Lëvizjes Vetëvendosje ku është përkujtuar 24-vjetori i Epopesë së lavdishme të UÇK-së.

” Derisa Serbia nuk pranon të nënshkruaj deklaratë mos-sulmimi e paqeje me Kosovën, dhe nuk distancohet nga agresioni rus për pushtimin e Ukrainës, dhe në të njëjtën kohë nuk i bashkohet demokracive të tjera në sanksionimin e Rusisë, ajo përbën kërcënim direkt për rajonin, për paqen dhe sigurinë tonë afatgjate e të përbashkët”, deklaroi Kurti.

Kurti, i cili njëherësh është kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka kujtuar në fillim të fjalës së tij muajin mars si muaj të lavdishëm të historisë e të çlirimit tonë.

“Sot është 5 marsi dhe në dy ditët në vijim po ashtu do shënohen ditët e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Populli ynë ndër shekuj ka pasë lëvizje çlirimtare, e tillë ishte edhe UÇK-ja që kulmoi me heroizmin e pashembullt të Familjes Jashari”, tha Kurti.

“Këto ditë i kujtojmë për të mos harruar kurrë barbarinë e okupatorit serb mbi popullin e Kosovës dhe heroizmin e shqiptarëve për të rezistuar dhe luftuar për mbrojtjen e atdheut. Më shumë se kujtdo tjetër, lirinë që gëzojmë sot ua kemi borxh dëshmorëve të luftës. I përjetshëm qoftë kujtimi ynë për ta dhe e përhershme qoftë puna jonë në realizimin e amanetit të tyre”, tha Kurti.

Siç njofton LVV, Kurti ka folur edhe për agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, pozitën në të cilën gjendet Republika e Kosovës, dhe për pozicionimin e vendit tonë krahas shteteve aleate duke dënuar agresionin dhe duke vënë sanksione ndaj Rusisë.

“Dënojmë ashpër edhe mos-dënimin e agresionit rus dhe mos vënien e sanksioneve nga Serbia e cila kësisoj po i bashkangjitet Bjellorusisë. Nëse deri dje, disa besonin se duke i ledhatuar autokratët zbuten ca e ndoshta bëhen demokratë, tashmë duhet ta kenë marrë mësimin”, shtoi Kurti.

Sa i përket çështjeve organizative, Kurti i njoftoi anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm që në përputhje me vendimin paraprak të organit më të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje shumë shpejt do të futemi në zgjedhjet e brendshme dhe në këtë drejtim në secilën qendër të Kosovës tashmë janë caktuar koordinatorët e qendrave, ndërsa në mërgatë janë caktuar koordinatorë në 10 nga gjithsej 13 qendra./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme