Kurti: S’do të kursejmë asgjë që Kompleksi Memorial në Prekaz të pasqyrojë dinjitetshëm qëndresën e familjes Jashari

19:56 | 5 Gusht 2024
E.G

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë e zbulimit të propozimit fitues për zhvillimin e masterplanit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ka thënë se është i bindur që ai do të pasqyrojë dinjitetshëm qëndresën dhe luftën heroike të familjes Jashari për liri.

“Do të ofrojë një interpretim dinjitoz e gjithëpërfshirës për rrëfimin e historisë së familjes Jashari – rrëfim i cili do të kalojë barrierat kohore të brezit tonë, dhe ato hapësinore të vendit tonë. Dhe kujtimin për veprën heroike të familjes Jashari do ta shndërrojë në përjetësi botërisht”.

“Nuk do të kursejmë asgjë për të ndërtuar një kompleks memorial të rëndësishëm ndërkombëtarisht, i cili do të pasqyrojë dinjitetshëm, dhe me një nivel të lartë artistik, qëndresën dhe luftën e popullit për liri dhe drejtësi, pavarësi dhe bashkim, ashtu siç e meriton figura e Adem Jasharit dhe familjes Jashari”, ka shtuar ndër të tjera kreu i ekzekutivit kosovar.

Premtimi i Qeverisë së Kosovës për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz do të duhej të realizohej në vitin 2021, shkruan AP. Qeveria e Kosovës ka kontraktuar “Gerber Architekten International GmbH & Donald Insall Associates & Barker Langham” me seli në Gjermani. E vlera e kontratës është mbi 7 milionë euro, gati 5 milionë më shumë sesa shuma e parashikuar./eo

Të ngjashme