Google ADS

Kurti: Rusia ka qëllime gjenocidale

15:53 | 2 Mars 2022
V. S.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shtetet e Ballkanit Perëndimor janë më të rrezikuara nga agresioni rus sesa shtetet e Baltikut apo Moldavia.

Ai në një intervistë për “The Independent”, ka theksuar se derisa Rusia për ta zgjeruar agresionin e saj edhe në Baltik e Moldavi, duhet të dërgojë forcat e saja ushtarake, në Ballkan Perëndimor nuk ka nevojë të bëjë.

Kjo sipas tij, sepse e ka Serbinë.

Gjatë kësaj interviste, Kurti ka bërë thirrje për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

“Mendoj se Ballkani Perëndimor është në rrezik më të madh sesa shtetet e Baltikut e Moldavia, pasi aty, Rusia duhet të dërgojë një pjesë të forcës së saj ushtarake e në rastin e Ballkanit Perëndimor nuk ka fare nevojë ta bëjë këtë, pasi që Serbia është vlerë shtesë në agresionin e saj ushtarak”.

“Ne duam t’i bashkohemi NATO-s sa më shpejt të jetë e mundur. Po ashtu insistoj që NATO të jetë dukshëm më vigjilente sesa që ishte. Në Moskë e kemi një lider të fuqishëm që po shkëput çdo rrugë të ikjes së tij. Ai nuk është person që duket i gatshëm të largohet në paqe, më tepër do të synojë luftën për zgjerim. Për këtë arsye jemi në rrezik”, tha Kurti.

Sa i përket pushtimit rus të Ukrainës ai ka thënë se është gjenocid.

“Ky agresion ushtarak nuk është më politik. Është gjenocid. Ju shikoni qëllimin gjenocidal, duke filluar nga logjistika e demografia. Kur e sheh se çfarë po ndodh në Kiev, e sheh se po bëhet një Sarajevë e re. Unë shoh se po ndodh një gjenocid, ku shohin territorin pa ty. Kjo po ndodh në Ukrainë”, ka thënë Kurti.

Kryeministri i Kosovës gjendet në vizitë në Londër, ku mori pjesë në Samitin e Investimeve në Ballkanin Perëndimor.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme