Me ceremoninë e certifikimit të pjesëmarrësve, është përmbyllur projekti i zbatuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit, mbështetur nga Ambasada e Norvegjisë, nga i cili kanë përfituar përvojë të punës praktike në institucione 100 të reja e të rinj nga të gjitha komunitetet në Kosovë.
“Rinia vazhdon të jetë në fokus të politikave tona qeveritare e në angazhimet tona publike, sepse zhvillimi ynë i ardhshëm varet shumë prej asaj se si e ndihmojmë dhe e trajtojmë rininë tonë, duke mos harruar që mosha mesatare në Republikën e Kosovës është vetëm 31 vjeç”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij.
Kryeministri ritheksoi se Qeveria është e përkushtuar për të shtuar mundësitë për aftësim e punësim, me politika të ndryshme, siç është ajo e lansuar gjatë verës “një i punësuar në çdo familje”.
Ashtu që asnjë familje në vendin tonë të mos ngelet pa e pasur së paku një të punësuar.
“E përderisa po jetësojmë skemën e punësimit të garantuar për të rinjtë, në Pakon e Ringjalljes Ekonomike, po vazhdojmë mbështetjen e projekteve të organizatave rinore”, tha ai.
Kryeministri theksoi se për shtimin e vendeve të punës dhe zbutjen e pabarazisë mes të rinjve, nga ky vit shkollor kemi filluar me ofrimin e arsimit dual në katër profile, ashtu që ta lidhim tregun e punës, pra nevojat e tregut të punës me planprogramet, me kurrikulat e sistemit arsimor, përkatësisht të aftësimit dhe arsimimit profesional.
Kështu synohet lidhja e urëzimi i hendekut të shkathtësive dhe zëvendësimi i emigrimit me punësim.
Për këtë Qeveria ka ndarë 3.5 milionë euro për ofrimin e praktikës profesionale për nxënësit e shkollave të arsimit dhe aftësimit profesional, 106 bursa për nxitjen e vajzave për të ndjekur profile teknike dhe djemve për të ndjekur profile deficitare, si dhe rreth 1000 kuponë për maturantë të shkollave profesionale për të ndjekur kurse të teknologjisë së informacionit.
Për të mbyllur hendekun ekzistues gjinor në profesione, në vitin akademik 2021/2022, janë ndarë 1365 bursa universitare për studentet në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës, apo siç njihet ndryshe STEM.
Në këtë ceremoni u theksua se Qeveria dhe institucionet janë të fokusuara për të zhvilluar plane e programe më të mira, për të ofruar mundësi maksimale në arritjen e potencialeve sa më të larta për të rinjtë e të rejat, për të tashmen por edhe për të ardhmen e tyre, e të vendit tonë./arbresh.info/
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...