Kurti: Republika e Kosovës nuk i harron e as nuk i falë krimet e kryera nga Serbia

12:20 | 29 Janar 2024
E.H

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka përkujtuar vrasjen e 30 shqiptarëve nga forcat serbe në Rogovë të Hasit, Goden e Bishtazhin të Gjakovës me 27, 28, dhe 29 janar të vitit 1999.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Kurti tha se Republika e Kosovës nuk i harron e as nuk i falë krimet e kryera nga Serbia, përcjell Arbresh.info.

“Përvjetorët na i përtërijnë plagët e luftës. Plagët e krimeve që nuk vjetrohen. Republika e Kosovës nuk i harron e as nuk i falë krimet e kryera nga Serbia. Më 27, 28 dhe 29 janar të vitit 1999, forcat e armatosura serbe i vranë 30 shqiptarë në Rogovë të Hasit, Goden e Bishtazhin të Gjakovës. Në këtë 25 vjetor i përkujtojmë luftëtarët dhe civilët e rënë për liri, që me sakrificën e tyre e shtruan rrugën deri te ҫlirimi i Kosovës nga Serbia okupatore”, ka shkruar Kurti.

Mes tjerash, Kurti tyha se atëbotë ranë duke luftuar 21 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nëntë civilë shqiptarë.

“Të monumentalizuar në historinë e re të Kosovës, një çerek shekulli më pas i kujtojmë me emrat e tyre të rënët në ato ditë janari: Agim Zeneli, Agron Rama, Agush Gjocaj, Bahtjar Morina, Daut Kelmendi, Emrush Çetaj, Gëzim Ademaj, Gaspër Karaqi, Hamdi Berisha, Haxhi Kleçka, Ilir Merturi, Kasim Shala, Luan Smajli, Memë Lleshi, Naim Dreshaj, Naim Gashi, Prend Lleshi, Sahit Krasniqi, Sejdi Rama, Valon Gashi, Vesel Avdyli, Rrustem Morina, Selman Morina, Muhamet Morina, Nusret Morina, Xhevdet Berisha, Ibrahim Kryeziu, Adem Shala, Zyber Shala dhe Rifat Shala”, shtoi Kurti.

“Lavdi dëshmorëve dhe martirëve! I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!”, tha Kurti./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme