Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë mbrëmë në ceremoninë e përmbylljes së projektit “Maths4talents”, nismë e cila ka ofruar trajnime falas për nxënës të talentuar në lëndën Matematika e Olimpiadave, ku krahas fjalës së rastit, bashkë me Kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni bëri edhe ndarjen e certifikatave dhe mirënjohjeve për nxënës që kanë treguar rezultate kulmore në olimpiadën matematikë të Gjilanit 2025.
“Matematika është vendimtare si për zhvillimin e logjikës të nxënësit gjithashtu edhe për thellësinë dhe mprehtësinë e mendjes. Besoj që Matematika së bashku me Gjuhën janë dy lëndët më të rëndësishme për fëmijët, për nxënësit, për të ardhmen e tyre profesionale dhe për ngritjen e tyre intelektuale, e edhe artistike”, tha kryeministri Kurti para nxënësve dhe të pranishmëve tjerë.
Ai ndau njoftimin me ta se vitin e ardhshëm Qeveria e Kosovës do të mbështesë organizimin e Garës Evropiane të Matematikës për vajzat dhe se për këtë qëllim tashmë janë ndarë 200 mijë euro, duke dëshmuar kështu përkushtimin tonë për fuqizimin e edukimit dhe përkrahjen e talenteve.
Kryeministri u zotua që Qeveria do të vazhdojë ta përkrahë çdo iniciativë e cila e promovon shkencën në përgjithësi, e posaçërisht Maematikën duke e bërë këtë fushë një burim të dijes e të frymëzimit për brezat e ri.\
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuari Kryetar i Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni,
I nderuari z. Shpend Nuhiu, drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit,
I nderuari z. Bregan Isufi, Kryetar i Shoqatës së Matematikanëve të Gjilanit,
Të nderuar drejtorë të shkollave,
Të nderuar mësimdhënës,
Të dashur prindër dhe nxënës,
Të nderuar të pranishëm,
Matematika është ndër lëndët më të bukura, ndonëse shpeshherë perceptohet si ndër më të vështirat, e Qeveria e Kosovës është e përkushtuar të mbështesë të gjitha aktivitetet të cilat e promovojnë këtë fushë kaq të vlefshme e të rëndësishme të dijes e të zhvillimit.
Me krenari ju informojmë se vitin e ardhshëm Qeveria e Kosovës do të mbështesë organizimin e Garës Evropiane të Matematikës për vajzat. Për këtë qëllim janë ndarë tashmë 200 mijë euro duke dëshmuar përkushtimin tonë për fuqizimin e edukimit dhe përkrahjen e talenteve.
Gjithashtu Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të mbështesë aktivitetet e Shoqatës së Matematikanëve të Gjilanit, një organizatë e re por jashtëzakonisht aktive në realizimin e qëllimeve të saj dhe në zhvillimin e promovimin e Matematikës.
Sot jemi mbledhur për ta përmbyllur projektin “Maths4talents” një iniciativë e cila ka ofruar trajnime falas për nxënësit e talentuar në lëndën ‘Matematika e Olimpiadave’.
Ky projekt është përkrahur nga Drejtoria Komunale e Arsimit dhe sot kemi kënaqësinë të certifikojmë më të mirët e kësaj olimpiade.
Matematika është vendimtare si për zhvillimin e logjikës e të nxënësit gjithashtu edhe për thellësinë dhe mprehtësinë e mendjes. Besoj që Matematika së bashku me Gjuhën janë dy lëndët më të rëndësishme për fëmijët, për nxënësit, për të ardhmen e tyre profesionale dhe për ngritjen e tyre intelektuale, e edhe artistike do të thosha.
Edhe unë e kam pasur arsimtarin e parë të Matematikës nga Gjilani. Ai ka qenë Taip Sylejmani, i cili na ka përgatitur për gara të Matematikës dhe i kam kujtimet më të mira prej detyrave e problemeve të vështira për të cilat në ndihmonte që t’i zgjedhim sa më shpejtë, sa më shumë nxënës.
E tash, si Kryeministër i Republikës së Kosovës, zotohem që Qeveria do të vazhdojë ta përkrahë çdo iniciativë e cila e promovon shkencën në përgjithësi, e posaçërisht Matematikën duke e bërë këtë fushë një burim të dijes e të frymëzimit për brezat e ri.
Ju faleminderit e suksese./Arbresh.info/
Murati: Pasdite pritet të bëhet ekzekutimi i shtesave nga 10...
SHSKUK-ja jep detaje për 30 vjeçarin e infektuar me Lijën e ...
Hoti: Sikur të nisej me kohë ndërtimi i termocentralit me ga...
Studimi në SHBA: Shumica e qytetarëve të lodhur nga lajmet p...
Ngritet aktakuzë ndaj tre personave në Prizren për shitblerj...
Qeveria miraton vendimin për ndarjen e shtesave prej 100 eur...