Në pamundësi për të marrë pjesë fizikisht në hapjen e Konferencës kushtuar Reformës së Administratës Publike, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, iu adresua të pranishmëve nëpërmjet një videoadresimi.
Kurti përgëzoi vazhdimësinë e kësaj nisme vjetore nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme, shkruan Arbresh.info.
Më poshtë gjeni adresimin e plotë të kryeministrit Kurti:
Të nderuar Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Zëvendës Ministër i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra,
Të nderuar ministra dhe zëvendësministra, deputetë dhe zyrtarë të administratës publike,
Të nderuar ambasadorë si edhe ish-qeveritarë,
Zyrtarë të lartë dhe ekspertë që erdhët anembanë Evropës dhe botës,
Ju uroj mirë se ardhjen në Konferencën e Dytë Ndërkombëtare të Administratës Publike.
Së pari, më lejoni t’ju shpreh keqardhjen që nuk mund të gjendem mes jush sikur vitin e kaluar, për shkak se disa takime të rëndësishme më mbajnë këto ditë në New York për hir të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe në margjinën e asaj.
Së dyti, dëshiroj të përgëzoj vazhdimësinë e kësaj nisme vjetore nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ministri kjo e cila shtyn përpara një reformë gjithëpërfshirëse dhe ambicioze për të reformuar administratën publike të Republikës së Kosovës.
Këtu shfrytëzoj rastin për të ritheksuar që qëllimi ynë nuk është dhe nuk do të jetë kurrë që të veprojmë kundër zyrtarëve dhe shërbyesve civilë ose kundër këshillave të miqve të Bashkimit Evropian, siç ka prirjen ta paraqesë opozita jonë demokratike.
Në asnjë mënyrë, sepse: ndaj të parëve kemi detyra morale për mbarëvajtjen e punës së tyre dhe për cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve, ndërsa ndaj Bashkimit Evropian kemi detyra politike për ecjen e procesit të pandalshëm të integrimit rajonal dhe në Bashkimin Evropian. Përmbi këto detyra qëndron qëllimi ynë sipëror që reforma jonë e administratës publike të shfrytëzojë potencialin e plotë të përkushtimit dhe të talenteve të administratës publike për t’i vënë në shërbim të progresit shoqëror dhe të zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës.
Së treti, vë re se këto përparime që janë të prekshme që sot, si dhe arritjet e tjera në shndërrimin e administratës publike që priten gjatë viteve në vijim, nuk do të ishin të mundura pa mbështetjen e miqve tanë evropianë dhe ndërkombëtarë. Shumë prej tyre na sollën këshilla strategjike dhe largpamëse të rëndësishme, dhe meqë ata janë aty sot mes jush sot në Universitetin e Prishtinës, i përgëzoj dhe i falënderoj për kontributin e tyre të vlefshëm.
Së fundi, duke bërë njëfarë analogjie që tregon sa larg izolimit gjendet Republika e Kosovës dhe sa shumë ajo mëson prej botës, pra prej selisë së Kombeve të Bashkuara ku ndodhem tash kur ju më dëgjoni, dhe përveç miqve ekspertë të lartë që na erdhën nga rajoni dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian, dëshiroj veçanërisht t’ju uroj mirë se ardhje miqve që drejt Prishtinës bënë një rrugë më të gjatë: faleminderit juve nga Afrika e Jugut, Armenia, Botswana, Brazili, Indonezia, Libani, Peruja dhe Uganda. Pa dyshim, prania juaj na lidh edhe në të ardhmen.
Edhe një herë falënderoj Ministrinë e Punëve të Brendshme, por edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës për mbështetjen, si dhe Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës që ju mirëpret këto dy ditë.
Ju uroj të gjithëve diskutime të mbara dhe le të mësojmë sa më shumë nga njëri-tjetri./Arbresh.info/
Banorët e Big Brother VIP Kosova shokohen nga rrëmuja në sht...
Ali Khamenei: Dënoni me vdekje Netanyahun dhe autoritetet iz...
Hoti: Buxheti 2025 u miratua me dy shkelje ligjore, Zyra e P...
Hoti: Nuk do të lejoj të më njolloset emri, ministri Peci të...
Drenusha-Sarës: E di që vet ia del, nuk ke nevojë për ndihmë...
Inaugurohet fillimi i punimeve për ndërtimin e Parkut Indust...