Kurti priti në takim Parsonin, flasin për zgjerimin e përfshirjes në aktivitete sportive të personave me nevoja të veçanta

18:44 | 18 Mars 2024
E.H

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, mirëpriti në takim Presidentin e Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar, Andrew Parsons. Pjesëmarrëse ishte dhe Njomza Emini, Presidente e Komitetit Paralimpik të Kosovës.

Temat qendrore të takimit ishin anëtarësimi i Komitetit Paralimpik të Kosovës në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar, i cili u arrit në gusht të vitit të kaluar si dhe pjesëmarrja e shtetit tonë në Lojërat Paralimpike, Paris 2024, për herë të parë.

Gjithashtu u trajtuan dhe mundësitë për zgjerimin e përfshirjes në aktivitete sportive edhe për personat me nevoja të veçanta në Kosovë dhe krijimin e kushteve sa më të përshtatshme për qasjen e tyre në mekanizma të ndryshme.

U theksua se mbështetja dhe përkushtimi i Qeverisë për Personat me Aftësi të Kufizuara në përgjithësi, përfshirë dhe fushën e sportit, vijon të mbetet e palëkundur.

Viti 2022 ishte shpallur edhe vit i Personave me Aftësi të Kufizuara nga Qeveria e Kosovës, ku edhe u organizuan në vazhdën e aktiviteteve të parapara nga të gjitha institucionet, edhe aktivitete sportive e kulturore nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit/Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme